E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu në Berat: “Prokuroria gjen fajtorët, gjykata i liron”

Autori i Lajmit: Redaksia
Në Gjykatën e Rrethit të Beratit, ashtu si në të tjerat e vendit, konstatohen mangësi në dhënien e vendimeve objektive nga ana e gjyqtarëve.
Një kritikë të tillë e ka drejtuar ndaj gjyqtarëve dje gjatë analizës vjetore të gjykatës së rrethit gjyqësor Berat, zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.
Mungesa e objektivitetit
“Duke marrë për bazë elementin e ecurisë në gjykatat më të larta, konstatoj identikisht të njëjtin problem që patëm në gjykatën Fier apo të Vlorës: pamundësinë e objektivitetit në cilësinë e gjykimit”, tha në fjalën e tij Spahiu. Duke shtuar më pas se “pesha që zënë në Berat çështjet penale është disa herë më e vogël sesa ajo civile, por gjithsesi, reagimi i shtetit ndaj kriminalitetit dhe forca e këtij reagimi ka ndjeshmëri të lartë”. Më tej, tha se një gjë e mirë në gjykatën e Beratit është ajo e nivelit të ulët të çështjeve të mbartura. “Ashtu siç konstatoj me keqardhje qe janë kthyer në fenomen kombëtar pengesat e ecurisë së gjykimit për shkaqet klasike të mosgjetjes së adresave dhe shtyrjes nga avokatët”, tha ai.
Pengesat
Nënkryetari i KLD-së, ka apeluar cilësi në gjykime.“Pa dashur ti hyj vlerësimit juridik të vendimmarrjes tuaj, them që gjithnjë ka arsye për të bërë diskutime të natyrës juridike që mund të japin konkluzione efektive dhe te mund të parandalojmë shprehjet rutinë të tipit kur prokuroria gjen fajtorët gjykata i liron, dhe as të kundërtën që gjykata bën noterin e kërkesës së prokurorit. Imazhi është cenuar në të dyja rastet”,theksoi ai. “Me vjen mirë që: edhe pse si në çdo gjykatë ka çështje të mbartura nga vitet e mëparshme, ato janë në numër të pakët, (rreth 12 të tilla), ashtu siç konstatoj me keqardhje qe janë kthyer në fenomen kombëtar pengesat e ecurisë së gjykimit për shkaqet klasike të mos gjetjes së adresave dhe shtyrjes nga avokatët.”, tha më tej Spahiu. Në fund, Spahiu bëri me dije se sistemi gjyqësor përballet me probleme kardinale për mirëfunksionimin e sistemit siç janë infrastruktura e pamjaftueshme apo mungesa e sigurisë dhe mbrojtjes, të dyja këto derivate të buxhetit deficitar në favor të gjyqësorit.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›