E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu ne Diber: Gjendem ne bastionin e Legalitetit

Ekrem Spahiu

Tiranë, 23 shkurt 12:10 NOA - Kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu ka zhvilluar në Peshkopi një takim të zgjeruar me Komitetin Drejtues, kryetarët e komunave dhe këshilltarët e kësaj partie në njësitë vendore të rrethit Dibër.

Spahiu tha se evidentoi dhe vlerësoi punën e kryetarëve të komunave dhe qëndrimet korrekte të këshilltarëve të PLL të cilët me prezencën dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në këshillat vendore po japin kontribut të rëndësishëm në qeverisjen në dobi të komunitetit.

“Ne konstatojmë se ata po ecin sipas programit të PLL dhe angazhimeve që burojnë nga koalicioni i qendrës së djathtë”, deklaroi Spahiu.

Më tej, ai foli për rëndësinë e madhe që kanë për vendin zgjedhjet e 28 qershorit.

Ai tha se në zgjedhjet e 28 qershorit Shqipëria shkon me një realitet të ri, krejt të ndryshëm nga realitetet e mëparshme.

“Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet e 28 qershorit si vend anëtar i NATO-s, si vend kandidat për anëtarësim në BE, si një vend që ka kryer e po kryen reforma të rëndësishme, si një vend që është kthyer në kantier pune nga investimet e mëdha e që do të ruajë ritmet e larta të zhvillimit pavarësisht krizës botërore”, - vuri në dukje Spahiu.

Po ashtu, ai rikonfirmoi vullnetin e maxhorancës për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, të cilat do të realizojnë standarde të reja e do t'i japin fund tranzicionit të votës së lirë në Shqipëri.

Sipas Spahiut, krijimi për herë të parë i Regjistrit kombëtar elektronik të Gjendjes Civile, mënjanimi i votimit me certifikata që kanë shërbyer si burim manipulimi dhe kontestimi, pajisja e qytetarëve me karta identiteti, krahas vullnetit politik janë edhe një tregues i qartë i punës serioze të pushtetit administrativ për të shkuar në zgjedhje me standarde te larta.

Duke e cilësuar qarkun Dibër si bastion të Legalitetit që nga viti 1924 kur Ahmet Zogu me përkrahjen e dibranëve rivendosi legjitimitetin në vend, Spahiu tha se Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka ambicie serioze për t'u përfaqësuar me deputetët e saj në qarkun Dibër.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›