Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijoi dje turin e tij në qytetet e Korçës dhe Ersekës
ERSEKE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në turin e tij me rrjetin e vullnetarëve të zhvilluar në qytetin e Korçës dhe Ersekës, ka nënvizuar se qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një politikë të re, që t'u japë arsyet për t'u bashkuar dhe jo për t'u ndarë. "Kemi nevojë për të kthyer faqen e dasisë 18-vjeçare dhe të gjithë së bashku të shohim para me sy nga e ardhmja",- tha Rama në takimin e zhvilluar në Ersekë.
Kryetari i opozitës, ka theksuar gjatë takimit, se njerëzve të thjeshtë pak u intereson se kush është në qeveri, ata duan të kenë më shumë punë, mirëqenie e zhvillim të familjes, qytetit e vendit të tyre. Nga Erseka, kryetari i opozitës është nisur drejt Korçës, për të zhvilluar një tjetër takim me të rinjtë e këtij qyteti.
Kryetari i PS-së ka nënvizuar idenë se126 ditë nga sot, do t'i hapet rrugë ëndrrës 18-vjeçare të shqiptarëve për një Shqipëri si gjithë Europa. "Dua të përsëris qartë sot, se një fitore falë mënyrës së vjetër të të marrit vesh, mes zanatçinjsh të pazarit politik, juve nuk u intereson. As mua. Një bashkim për të zgjidhur poste për politikanët dhe lënë pa zgjidhur hallet për njerëzit, juve nuk u intereson.
As mua. Sepse pasojat që ky lloj bashkimi sjell për vendin e për secilin prej jush, janë po ato që shohim përtej 18 vitesh. Njerëzve, atyre milionave pa pushtet, që duan punë, rrugë, shpresë, nuk u intereson pushteti, por rezultatet e qeverisjes",- tha ai.
Rama shtoi se, njerëzve u duhet një shtet i paanshëm, që nuk është as i socialistëve, as i demokratëve, por i çdo qytetari e qytetareje, pavarësisht përkatësisë partiake apo ngjyrës së pushtetit të radhës.
"Unë nuk jam këtu për t'u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa të tjerë dhe për të vazhduar të njëjtin avaz të 18 viteve keqqeverisje, por jam këtu për ta ndryshuar bashkë me ju avazin, duke ndryshuar politikën. Sepse vetëm kështu mund të ndryshojë dhe rezultati i qeverisjes në të mirë të vendit e secilit", -sqaroi Rama.