Të ftuarit e Polit të Lirisë, nga Kopliku tek Rubena Moisiu
Në pritje të zyrtarizimit të Polit të Lirisë, PDK-ja fton të djathtën e përjashtuar nga Berisha
TIRANË- Java e ardhshme pritet që të sjellë një rezultat konkret në zyrtarizimin e lëvizjes më të re brenda të djathtës. Poli i Lirisë, koalicioni që do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do të jetë pjesë e realitetit politik, pas firmosjes së marrëveshjes nga tri partitë e Ndokës, Ngjelës dhe Shehit.
Por, iniciativa e Partisë Demokristiane do të shkojë përtej partive politike. Burimet të mirëbesuara tregojnë se pjesë e kësaj lëvizjeje pritet të bëhen edhe figura me peshë ndër vite brenda Partisë Demokratike, por të larguar prej saj në periudha të ndryshme.
Mes emrave që PDK-ja ka ftuar për t'u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje, janë Bashkim Kopliku, ish/zv.kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-'95, i cili mësohet se nuk ka dhënë ende përgjigje, për shkak edhe të angazhimeve të tij profesionale.
Ndërkohë, këtij aksioni, disa muaj para zgjedhjeve mund t'i bashkohet ish-ministri i Jashtëm Alfred Serreqi. Uran Butka apo Pjetër Pepa, janë të tjerë emra, që janë ftuar të jenë pjesë e Polit të Lirisë. Burimet tregojnë se edhe vajza e ish-Presidentit Moisiu, Rubena Moisiu, është ftuar të jetë pjesë në radhët e kësaj lëvizjeje. Në një intervistë dhënë për mediat pak kohë më parë, Rubena Moisiu kishte shfaqur ambicien e saj për t'u angazhuar në politikë.
Në mesin e javës së ardhshme, gjithçka pritet të zyrtarizohet me nënshkrimin e marrëveshjes. Në të njëjtën kohë do të kristalizohet edhe përfshirja e disa figurave që kanë dhënë kontribut në PD, por që për hir të politikave të ndjekura brenda kësaj partie, janë larguar prej kohësh, për t'iu bashkangjitur tashmë një koalicioni, që në thelb të saj do të ketë zbatimin e një programi të djathtë.
Poli i Lirisë do të ketë turin paraelektoral nëpër rrethe, deri në fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Marrëveshja
Sipas draft-marrëveshjes së bërë gati, që pritet të firmoset këtë javë, partitë e koalicionit Poli i Lirisë, do të angazhohen më së shumti për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, fushatë zgjedhore qytetare, transparencë të plotë të procesit dhe vëzhgim të tij, liri të plotë për qytetarët, për të zgjedhur sipas bindjeve personale kandidatët brenda koalicionit, si dhe një program të përbashkët politik, ku një vend të rëndësishëm do të zënë, zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronësisë, dëmshpërblimi dhe integrimi i plotë i ish-të dënuarve politikë, zgjidhja institucionale e çështjes çame, lehtësi për biznesin dhe investitorët vendas e të huaj, edukimi, shëndetësia, familja, shtresat në nevojë, vazhdimi i reformave (drejtësi, ekonomi), etj.
Tri partitë politike dhe konkretisht, PDK-ja, LZHK-ja dhe PLiDr-ja janë për ndërtimin e një shteti normal të së drejtës, që u garanton qytetarëve qeverisje dhe institucione funksionale, liritë dhe të drejtat politike, liritë ekonomike, liritë dhe të drejtat e njeriut, një mirëqenie të stabilizuar dhe zhvillim perspektiv, integrim të plotë në NATO dhe në BE.