E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja në kaos, shpërbëhet kryesia e Shkodrës

Jep dorëheqjen kryetarja e LSI-së së Shkodrës dhe 10 anëtarë të kryesisë.


TIRANË- Kthehet në fenomen largimi, jo vetëm i anëtarëve, por edhe i drejtuesve të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Drejtimi nga ana e lidershipit aktual të kësaj force, ka krijuar një pakënaqësi jo të vogël në radhët anëtarësisë, çka ka bërë që ditët fundit të shohim shpesh dezertime masive nga LSI-ja.


Pas largimit të anëtarëve të kryesisë, Brisilda Gjikondit dhe Pjerin Ndreut, si dhe të kreut të Bashkisë së Urës Vajgurore, dje LSI-së i ka ardhur një goditje tjetër e fortë. Bëhet fjalë për largimin prej saj të kryetares së kësaj forcë në Shkodër Prof. doc.


Esmeralda Uruçit. Ndryshe nga të larguarit e tjerë, Uruçi e ka komunikuar zyrtarisht largimin nga LSI-ja dhe dorëzimin e teserës së partisë në një konferencë të posaçme për mediat, dhënë dje në Shkodër, ku ajo ka renditur dhe arsyet që e çuan në një vendim ekstrem.


Menjëherë pas Uruçit kanë dhënë dorëheqjen edhe 10 anëtarë të Kryesisë së LSI-së, Shkodër. Në konferencën për shtyp, Uruçi ka renditur si një ndër faktorët kryesorë, pikërisht mospajtimin me mënyrën sesi kreu i kësaj force, Ilir Meta, po drejton këtë parti. Ajo nuk ka nguruar të akuzojë Metën se e ka kthyer partinë në një pronë private, ku strukturat e partisë nuk pyeten për asgjë.


"Në aktivitetin politik të partisë, kam konstatuar zhvillime në kundërshtim me idetë e mia për një parti të së majtës demokratike e moderne. Duke i analizuar ato, druhem shumë se LSI-ja mund të kthehet në një sipërmarrje private ku sundon "Uni" i kryetarit të partisë.


Druhem shumë se forumet nuk do të pyeten për asgjë, ndërsa parimi "një anëtar, një votë", është kthyer që tani në një slogan sa për të kaluar lumin", - tha kryetarja e larguar e LSI-së për Shkodrën, Esmeralda Uruçi.


Madje, duke u ndalur në një analizë edhe më të hollësishme të situatës brenda LSI-së, ajo ka theksuar se edhe përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është bërë në kundërshtim me parimet demokratike, për të cilat kjo forcë u krijua.


Sipas saj, për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë nuk janë pyetur strukturat dhe vendosja e emrave ka qenë një ekskluzivitet i kryetarit të partisë, Ilir Meta. "Listat e kandidatëve për deputetë janë produkt i kryesisë qendrore, në mos i vetëm kryetarit dhe, për ta, nuk i është marrë asnjë mendim askujt në bazën e partisë.


Njerëz pa lidhje me LSI-në po zënë vendet e para në listat e kandidatëve për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Në disa rrethe të vendit, shumë intelektualë e punëtorë të palodhur të partisë janë zëvendësuar pa asnjë dhimbje. Në vend të tyre janë afruar njerëz të fuqishëm të biznesit, të cilët e njohin mirë vlerën dhe pushtetin e parasë.


Në këto kushte, qëndrimi im i mëtejshëm në LSI është bërë i pamundur dhe, për rrjedhojë, i pa argumentuar. Largohem duke dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet që mbaj, si në qendër ashtu dhe në LSI, dega Shkodër", - u shpreh Uruçi, e cila ka bërë të ditur gjithashtu se do të jetë përsëri pjesë e së majtës, por pa specifikuar nëse do të bëhet pjesë e ndonjë force tjetër politike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›