E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, PD heq dorë nga BG&R

PD-ja është në tratativa që, për zgjedhjet e ardhshme, të kontraktojë me një kompani nga Europa dhe jo më nga SHBA-ja


TIRANË- Ndryshimi i pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga republikanët tek demokratët, ka bërë që edhe e djathta në Shqipëri të ndryshojë pikën e saj të orientimit, duke i kthyer sytë nga Europa. Nuk dihet nëse është pasojë e këtij zhvillimi apo diçka tjetër, por Partia Demokratike në Shqipëri, ka vendosur që të "braktisë" miqtë e saj të vjetër amerikanë të "Barbour Griffith & Rogers" (BG&R), dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është hedhur në kërkim të një bashkëpunëtori të ri, por kësaj here në Europë.



Negociatat


Burime pranë Partisë Demokratike konfirmojnë se, edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në qershor, po punohet që të sigurohet asistenca menaxheriale e një kompanie të huaj.


Megjithatë, duket se asgjë konkrete nuk është arritur në këtë drejtim, pasi ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare me ndonjë kompani të caktuar.


Ajo që mësohet në këtë drejtim, është fakti se, për të kryer shërbimet e fushatës elektorale të këtij viti për zgjedhjet e verës, demokratët, aktualisht janë në negociata me një kompani nga Lihtenshtejni (që duket se ka operuar edhe në Itali), emri i së cilës nuk bëhet ende i ditur, për sa kohë që nuk ka një marrëveshje konkrete.


E ndërsa ende nuk ka një produkt konkret nga këto negociata, ajo që mbetet e sigurt deri më tani është, të paktën "de jure", ndërprerja e bashkëpunimit me BG&R. Pavarësisht se shkaqet e këtij divorci nuk bëhen të njohura nga PD-ja, nuk është e vështirë të kuptohet se në këtë vendim ka ndikuar jo pak debati politik që ka shkaktuar moszbardhja e kontratës financiare e bashkëpunimit për zgjedhjet e vitit 2005, si dhe kontributi që kjo kompani ka dhënë për një sërë partish të njohura si antishqiptare në Ballkan.


Gjithashtu, një faktor tjetër që mund të ketë çuar PD-në në këtë divorc, është fakti se BG&R ka qenë kryesisht e suksesshme në ndihmën e saj, kur ka punuar për partitë opozitare që kanë ardhur në pushtet. Prandaj, PD-ja, në këtë rast ka menduar të gjejë një konsulent tjetër, i cili të jetë i specializuar në modelimin e fushatës për një parti që kërkon të mbajë pushtetin.


Socialistët


Nga ana tjetër, socialistët duket se e kanë fjetur mendjen në këtë drejtim, pasi gjatë fushatës së saj për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, do të bashkëpunojnë me dy kompani amerikano-izraelite. Bëhet fjalë për kompanitë e njohura amerikano-izraelite, "Arthur J.


Finkelstein and Associates", me të cilën PS-ja ka bashkëpunuar dhe më parë, si dhe "Kidron Strategies". Meqenëse këto zgjedhje konsiderohen shumë të rëndësishme nga ana e socialistëve, PS-ja nuk ka nguruar që kompanisë "Arthur J. Finkelstein and Associates", t'i kërkojnë garanci në sigurimin e fitores.


Burime nga PS-ja konfirmojnë se, bashkë me këtë kompani, do të jetë edhe "Kidron Strategies" e amerikano-izraelitit George Birnbaum, një kompani kjo që ka lidhje shumë të ngushtë me të parën, e cila është e njohur tashmë për sukseset e saj, gjatë fushatave për personalitete të njohura botërore.


Kompania "Arthur J. Finkelstein and Associates", me qendër në Irvington, New York, gjatë 25 viteve të fundit ka menaxhuar një sërë fushatash elektorale, ku, forcat, në hesap të të cilave ka punuar, kanë dalë në të shumtën e rasteve fituese në zgjedhje. Mbahet mend kontributi i kësaj kompanie në fushatat e elektorale të dy presidentëve amerikanë, në 1972-shin, me Richard M.

Nixon, dhe në 1979-ën, me Ronald Reagan. Ndërsa kompania tjetër, "Kidron Strategies", ka punuar pothuaj gjithmonë me kompaninë e parë, duke kryer rolin e matjes së prirjes së elektoratit me anë të sondazheve. Ky duket se do të jetë dhe roli i kësaj kompanie në ndihmën që pritet t'i japë partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›