E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ambulancë për petkat!

Vetëm modë dhe tendencë që nuk përçojnë prezantuesit në ekranet shqiptare. Gjendja paraqitet më e rëndë tek femrat. Veshje rastësore ose të sforcuara për t’iu përshtatur formatit

Njeriu prej natyre është një qënie kopjace. Nëse shohim që dikush zotëron diçka të mirë apo të bukur, duhet ta kemi patjetër edhe ne. Sidomos kur bëhet fjalë për veshje… Ky është një fenomen i përhapur gjithkund, po aq sa edhe në Shqipëri. Gra e vajza mundohen të imitojnë në pamje (look) aksh aktore, këngëtare, prezantuese televizive, apo edhe politikane të suksesshme. Televizioni luan rolin parësor në krijimin e modeleve. Së bashku me një program televiziv përçohet një mënyrë të veshuri, të krehuri, të sjelluri… Kur këto janë të suksesshme, ka patjetër pasues. Kush ka jetuar kohët e arta të këngëtares Vaçe Zela, e kujton fare mirë se pas çdo festivali, gratë e vajzat do të vraponin të blinin copa për funde e fustane si i vishte këngëtarja e madhe. Të tjera pëlqenin t’i mbanin flokët si Lindita Theodhori, apo Tefta Radi… Shumë më vonë, një imazh që nisi të imitohej dukshëm ishte gazetarja Ilva Tare. Të gjitha prezantueset e tjera të lajmeve donin të ngjanin si ajo, të flisnin e të lëviznin si ajo…

Momentalisht është pak e vështirë për të gjetur një model. Mjafton të bësh një kalim kanal më kanal televiziv, për të kuptuar se në të vërtetë nuk ka shume për të “kopjuar”. Zor se gjen profile të spikatura. Veshje të hallakatura, apo démodé, flokë të shprishur, apo të sajuar keqazi. Prezantueset e emisioneve të mëngjesit tek Televizioni Publik Shqiptar, duket se ia lënë rastësisë të veshurin. Duket se Shtetërori nuk ka ndonjë garderobë për këtë punë, ndonjë dyqan sponsor veshjesh e aq më pak ndonjë stiliste që të kujdeset për to. Kështu që syri të zë soj-soj sajimesh e ngjyrash. Nuk flitet për ndonjë stilim flokësh dhe herë-herë të çudit ndonjë trëndafil i madh i ngulur në kokë, që kombinon me ngjyrën e fustanit. (Mund të jetë edhe i gjelbër…). Kjo lloj rastësie në të veshur vihet re edhe në ndonjë tjetër ekran, në ndonjë tjetër prezantuese emisionesh paradite. Flitet për modën, për tendencat e vjeshtës dhe të dimrit, kujdesin për flokët pas plazhit, për ndërrime ngjyrash, por vetëm tendencë dhe modë nuk ofron imazhi i emisionit, madje ka mundësi që shikuesi uron që të mos ngjajë si ajo. Duke qenë emisione të përditshme është e kuptueshme që fondi i garderobës personale shteron dhe vetë televizioni përkatës duhet të kujdeset që të prezantohet në një mënyrë sa më të këndshme.

Por gjendja bëhet edhe më e rëndë në emisionet serioze. Për t’iu përshtatur formatit të programit, me karakter social, me emocione të forta e ankth, prezantueset përpiqen të duken sa më serioze. Sigurisht nuk mund të veshësh dekoltera e fustane lule-lule, por nuk është as nevoja të sajohesh si nuset e qëmotit në ditën e parë të martesës. Rasti më fenomenal është ai i prezantueses së një emisioni që kërkon njerëzit e zhdukur. Gjatë sezonit të shkuar na u shpalos me një garderobë kostumesh të çuditshëm (një Zot e di se ç’ka pasur në mend stilisti-rrobaqepës, kur ka krijuar ato veshje) me ngjyra të ndezura, rozë, e gjelbër, e kuqe gjak, plot xhingla-mingla… Grimi dhe frizura, plotësojnë imazhin e nuses, me flokët ende të paprishur nga dasma, gjithë forma, bukle, xixa… Dhe, në tërë këtë farfurimë, çoroditesh e nuk e ke mendjen tek ato që thotë prezantuesja, por mendon se si ka mundësi që të sajohet në atë mënyrë. Ndoshta ka pak shpresë për sezonin e ri. Ndoshta ndryshimi i ekranit do përmirësojë paraqitjen e saj.

Një tjetër kolege në një emision “me dorë në zemër”, ka hedhur tej pamjen vajzërore, me të cilën ishim mësuar ta shihnim, pse jo edhe ta admironim, për të veshur një tjetër, që i jep hijen e një mesogruaje. Një shndërrim total, me krehje e veshje si në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, që të lë thjesht me një pikëpyetje të madhe në kokë. Përse?

Hollë-hollë gjendja paraqitet ca më mirë tek meshkujt, në shumicën e herëve opinionistë, me kostume të shtrenjta, sipas prerjeve të modës së fundit, në kombinime ngjyrash të këmishave, gravatave (këto në shumicën e rasteve janë të gjera sa duket sikur të jetë lidhur një shall rreth jakës së këmishës) e xhaketave. Në lojë hyjnë edhe ca të rinj gjithnjë “trendy”. Sigurisht ka edhe nga ata që kanë vendosur të vishen vetëm në një mënyrë: jelek, mbi një këmishë me mëngë “pufkë” (për goca), apo në të njëjtën ngjyrë, duke u bërë të mërzitshëm…

E përgjithshmja është kaotike. Duket se imazhet televizive e vetë drejtuesit e televizioneve, ende nuk e kanë kuptuar se veshja, apo krehja e bukur, pa ekzagjerime shkon në të njëjtën linjë me “produktin” që këta njerëz prezantojnë dhe nga ana tjetër është respekt për shikuesit të cilët qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme duan t’u ngjajnë, pasi u duken të rëndësishëm që flasin e japin mend që nga ekrani i vogël. E nëse ankohemi se shqiptarët kanë gusto “të keqe”, atëherë duhet t’ua vëmë ca fajin edhe televizionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›