Ngjyrat e Casamadës
Aroma e Mesdheut ka mbushur sallën kryesore të ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve. Bëhet fjalë për prezantimin e veprave të artistit Rafols-Casamada. Janë rreth 40 vepra të artistit, të realizuara në një hark kohor prej 50 vitesh, 1950-2005. Albert Rafols Casamada (Barcelonë 1923) është një nga artistët katalanë përfaqësues. Një klasik i ditëve tona me një prani të padiskutueshme ndërkombëtare, jo vetëm për trajektoren e tij të gjerë pikturuese, që filloi profesionalisht më 1946, por edhe për veprën e tij letrare e poetike. Pasi braktisi karrierën në arkitekturë më 1948, Albert Rafols Casamada studioi në Akademinë Baixas. Ekspozita e tij e parë e pikturës u shfaq në Galerinë e Pikturës së Barcelonës më 1947. Më vonë mori një bursë në Paris, ku jetoi tre vjet dhe udhëtoi për të parë Vendet e Ulëta e Anglinë, në një proces formimi vizual që e afroi me estetikat e informalizmit dhe të abstraksionit.