E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin procedurat e reja për pasaportat, dokumentet dhe afatet



TIRANË – Ministria e Brendshme ka nxjerrë një rregullore të re për pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë, ku janë përcaktuar edhe kategoritë e personave që përfitojnë lehtësira. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se për marrjen e dokumentit të identifikimit para afatit apo në raste urgjence, përfitojnë këto kategori personash në rastet e veçanta; “invalidët, veteranët, të moshuarit, për çështje të rëndësishme shtetërore, aktivitete politike, probleme të urgjencës mjekësore. Përveç dokumentacionit që kërkon pajisja me pasaportë, këta persona duhet të paraqesin edhe dokumentet përkatëse. Në rregulloren e re jepen edhe kriteret që duhet të plotësojnë kategori të ndryshme shtetasish, si ata që janë nën moshën 16 vjeç, jetimët, apo edhe në rastet kur kërkohet shtyrje e afatit të pasaportës.
Rregullorja
Me rregulloren e re, tashmë çdo qytetar mund të pajiset me pasaportë brenda një afati rekord, nëse plotëson kriteret e përcaktuara. Pak ditë më parë janë publikuar të gjitha pikat dhe të gjitha rastet e marrjes së dokumentit identifikues, apo zgjatjen e afatit të saj, sipas kategorive. Po ashtu, janë publikuar kushtet e reja edhe për shtetasit nën moshën 16 vjeç, të cilët nuk mund të aplikojnë vetë, pasi për këto raste aplikojnë prindërit, kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, bazuar kjo me dokumentet që justifikojnë këtë veprim. “Kur fëmija bashkëjeton me të dy prindërit, kërkesa do të nënshkruhet nga të dy prindërit dhe të jetë e noterizuar.”, - thuhet në rregullore. Në rast se prindërit janë të divorcuar, kërkesën dhe dokumentet për pajisjen e fëmijës me pasaportë si dhe tërheqjen e saj e bën prindi (babai ose nëna), ose kujdestari, të cilit, në bazë të vendimit të gjykatës, i është lënë e drejta prindërore. Procedura kryhet duke shtuar edhe një kopje të vendimit të gjykatës. Kërkesa duhet të jetë e noterizuar.
Po ashtu, janë parashikuar procedurat e pajisjes me pasaportë për fëmijët e lindur jashtë martese me shtetas shqiptarë apo të huaj. Sipas tyre, dokumentacioni paraqitet nga prindi i cili e ka në ngarkim fëmijën.
Afatet dhe çmimet
Në Drejtoritë e Policisë së Qarqeve bëhen shënime të ndryshme në pasaportë, si hedhje fëmijësh, zgjatje të afatit të pasaportës etj. Kostoja për realizimin e shërbimeve të parashikuara në pikën 8 të rregullores është 100 lekë. Shtetasit deri në moshën 16 vjeç pajisen me pasaportë të vlefshme për 5 vjet, ndërsa ata mbi 16 vjeç, pajisen me pasaportë të vlefshme për 10 vjet. Afati i mbarimit të pasaportës për efekt të ripajisjes së shtetasve me pasaportë konsiderohet 30 ditë para mbarimit të afatit të përcaktuar në pasaportë, shtetasi ripajisjet me pasaportë me vlerë fillestare. Për shtyrjen e afatit të pasaportës, ajo është e vlefshme vetëm një herë, për një periudhë njëvjeçare. Kjo bëhet 6 muaj para mbarimit të afatit të përcaktuar në pasaportë.

KËRKESAT PËR APLIKIM NORMAL

Kërkesë me shkrim
Certifikatë me fotografi
4 copë fotografi me përmasa 4 x 5 cm
Shuma e paguar 5 000 lekë të reja

APLIKIM PËR SHTETAS NËN 16 VJEÇ

Certifikatë lindje me fotografi
Certifikatë familjare
4 copë fotografi me përmasa 4 x 5 cm
Kërkesë me shkrim nga përfaqësuesi ligjor

APLIKIM PËR FËMIJËT E BIRËSUAR
Certifikatë lindje me fotografi
Certifikatë familjare
4 copë fotografi me përmasa 4 x 5 cm
Kërkesë me shkrim nga përfaqësuesi ligjor
Kërkesë e bërë nga Komiteti i Birësimit
Vendim i Gjykatës për birësimin e fëmijës
Kërkesë dhe fotokopje e pasaportës së shtetasit që birëson

SI DUHET TË JETË FOTOJA

Fotoja duhet të jetë në plan ballor, me qoshe të rrumbullakëta.
Pamja e fytyrës deri ne mjekër të mbuloje 70% të fotografisë
Fotografia të jete e ndriçuar, pa hije të errëta në fytyrë.
Nëse kërkuesi mban syze, xhamat nuk duhet të kenë shkëlqim dhe ngjyrë

Policia: “Brenda 7 ditësh, pasaporta për emigrantët”

DURRËS – Brenda 7 ditësh, që prej momentit të aplikimit, do të jepen pasaporta për emigrantët që vijnë gjatë sezonit të verës në vendlindje. Kjo është masa më e fundit e ndërmarrë nga Policia e Qarkut të Durrësit, tani që është rritur fluksi i kërkesave për tu pajisur me dokumentin e identifikimit. Burime zyrtare të Policisë në qytetin bregdetar bëjnë të ditur se “këto masa synojnë minimizimin e radhëve në sportelet e aplikimit dhe marrjes së pasaportës, të kohës së prodhimit të pasaportës, të krijimit të bazës së nevojshme materiale për periudhën e fluksit si dhe të një infrastrukture të volitshme për ofrimin e këtij shërbimi qytetar”. Sipas tyre, “janë marrë masa në drejtim të krijimit të një rezerve të konsiderueshme baze materiale”. “Pasaporta prodhohet brenda 7 ditëve”, - thuhet në njoftimin e policisë. Aktualisht gjendja e aplikimit për pasaportë në sportelet e Qarkut Durrës paraqitet normale. Konkretisht në zyrën e aplikimit për pasaportë të Durrësit gjatë kësaj periudhe aplikojnë mesatarisht 55 persona në ditë, në Shijak rreth 30 persona në ditë dhe në Krujë rreth 25 persona.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›