E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksionet, shemben 41 objekte pa leje për dy muaj



SHKODËR - Të paktën 41 ndërtime pa leje janë shembur gjatë dy muajve të fundit në qytetin e Shkodrës nga Inspektoriati Ndërtimor, pranë bashkisë së këtij qyteti. Shefi i këtij inspektoriati, Roland Çomo, tha se "gjatë ditës mërkurë është shembur një objekt tregtar pa leje të ndarë në disa pjesë funksionimi, i cili gjendej në një nga rrugët kryesore të qendrës së qytetit". Sipas Çomos, ndryshe nga fillimi i aksioneve të para në muajin e kaluar, kur gjatë ndërhyrjeve kishte reagime të qytetarëve, tashmë një problem i tillë po shkon drejt normalizimit të plotë, pasi ata po ndërgjegjësohen për zbatimin e ligjit. "Në shumë raste ka një farë keqkuptimi të qytetarëve, sepse nisur nga ligji i legalizimeve pretendojnë se janë në rregull me shtetin, por në fakt jo çdo ndërtim pa leje do të mund të legalizohet", - sqaroi Çomo. Të gjitha ato ndërtime, vijoi ai, që komisionet përkatëse të specialistëve të urbanistikës së Bashkisë dhe prefekturës kanë konstatuar se dëmtojnë zhvillimin urbanistik të qytetit, janë planifikuar të prishen. Me shembjen e këtyre ndërtimeve i jepet mundësi zbatimit të planit të ri urbanistik të qytetit verior.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›