E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu, shqiptari i dytë në kartelin e kokainës

Verën e vitit 2008 agjentët e DEA-s në Dallas u informuan rreth një takimi që do të zhvillohej mes Higinio Hernandez dhe ortakut të Camorras. Më 15 maj agjentët morën nën vëzhgim një restorant kilian në Dallas. Nuk qëlloi një takim i kënaqshëm për Higinion. Agjentët e DEA-s ishin duke parë si italiani drejtoi gishtin në mënyrë paralajmëruese në kraharorin e tij. Kokaina që po i shisnin nuk ishte mjaftueshëm e pastër - i tha ai Hernandezit. Klientët po ankoheshin. Pas takimit, Higinio shkoi drejt e te i vëllai Henry, duke i kërkuar të takonte furnitorin e tij, Moises Duarte, për t’i kërkuar pluhur më të pastër. Por agjentët u detyruan të ndërhynin, para se të sigurohej një ngarkesë tjetër për në Itali. Arsyeja ishte Brenda Salinas. Vajza 23-vjeçare shoqërohej me Henry Hernandez dhe Duarten e që, siç rezultoi, kishte lidhje intime me të dy ata. Si një gardiane burgu në Dallas, ajo kishte akses në databeiset e autoriteteve të ligjit. Në korrik, kur agjentët mësuan se ajo po ushqente të dy burrat me informacion, agjentët e DEA-s e kuptuan se duhej të hidheshin në aksion. Ata arrestuan fillimisht Duarten dhe “thumbuan” shpurën e tij. Deri tani, nëntë të pandehur, përfshi edhe gardianen Salinas janë shpallur fajtorë. Mes tyre është edhe një tjetër shqiptar, Eduart Spahiu, i cili punonte si konsulent financiar në Dallas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›