E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja do lobojë fuqishëm për hyrjen e Shqipërisë në zonën “Schengen”

Ambasadorët Lohan dhe Montobio i premtojnë kryeministrit Berisha angazhim të plotë në proceset integruese Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian do ketë në fokus të punës së saj 6 mujore proceset e afrimit të Shqipërisë me familjen e madhe evropiane, duke ndjekur hap pas hapi ritmin e reformave nga ana e qeverisë. Kështu është shprehur ambasadori i Spanjës dhe Kryetari i Misionit të BE, në Tiranë, Emanuel Montobio, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, në prani edhe të shefit të delegacionit Evropian, Helmut Lohan. Të dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, e informuan kryeministrin Berisha mbi prioritetet e Presidencës spanjolle për gjashtë muajt në vijim. Montobio e Lohan shprehën angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe proceset e tjera të lidhur me të si, ai i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.Kryeministri Berisha vlerësoi se presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë, pas hyrjes së tij në fuqi. Kryeministri e cilësoi Traktatin e Lisbonës si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së, që pas traktateve të Romës dhe shprehu vlerësimin për risitë që ai sjell, në veçanti për sa i përket zgjerimit dhe axhendës së integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.Ambasadorët e informuan kryeministrin Berisha për prioritetet e presidencës spanjolle, siç janë fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lisbonës dhe risive që ai sjell në strukturën, institucionet dhe të drejtën europiane, dalja nga situata e shkaktuar si pasojë e krizës financiare botërore, por dhe vazhdimin e punës me axhendën europiane për zgjerimin e BE dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet kyç.Bashkimi Evropian dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave.Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha i falënderoi të dy ambasadorët për ekspozenë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për përcaktimin nga ana e presidencës spanjolle të zgjerimit të BE-së si një ndër prioritetet kryesore të punëve të saj. Në këtë kontekst, Berisha u shprehu ambasadorëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përgatitur dhe për t’i dorëzuar Komisionit Evropian dokumentin më cilësor me përgjigjet për pyetësorin dhe për të marrë çdo masë e për të realizuar çdo reformë në fushat prioritare, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë përpara, si në ecjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për liberalizimin sa më shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë.Kreu i ekzekutivit shfrytëzoi rastin të falënderojë të dy ambasadorët për vizitën që ata kryen në zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e jashtëzakonshme, si dhe për ndihmën dhe solidaritetin që vendet e Bashkimit Evropian i ofruan Shqipërisë për kapërcimin e kësaj situate. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i bëri me dije ambasadorëve planin e qeverisë shqiptare për të organizuar së shpejti një konferencë donatorësh për të mbledhur ndihmë dhe asistencë ekspertësh profesionistë, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara, si dhe për projektet mbrojtëse për këtë zonë. Berisha ftoi vendet e BE-së të marrin në konsideratë pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë konferencë, pasi thellimi i lumit të Bunës si dhe masat e tjera mbrojtëse infrastrukturore, janë projekte të një rëndësie të jashtëzakonshme, por edhe shumë të kushtueshme, ndaj çdo kontribut i BE dhe vendeve të tij është shume i mirëpritur dhe i vlerësuar.Më tej në takim u vlerësua reagimi masiv i institucioneve, i cili bëri të mundur realizimin e objektivit më madhor, shpëtimin e jetëve njerëzore.Në fund të takimit, u ri-konfirmua edhe njëherë vendosmëria dhe angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat për ecjen përpara me projektin madhor të integrimit të vendit në BE.          ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›