E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, e motivuar për sukses

Skuadra që do ta përfaqësojë Spanjën në garën e futbollit në Lojërat Olimpike Verore ‘Londra 2012’ synon të përsërisë suksesin e ekipit senior, që triumfoi në Euro 2012. Selektori Luis Milla beson se grupi i futbollistëve që ka në dispozicion do të përcjellë shembullin e lojës nga skuadra e Del Bosques, në kërkim të medaljes së artë.

Në shenjë paralajmërimi për rivalët e tyre në garë për medaljen e artë olimpike të futbollit, selektori i Spanjës, Luis Milla ka thënë se skuadra e tij në Lojërat ‘Londra 2012’ do të jetë e pasur me talente të aftë të zhvillojnë lojë të ngjashme me ekipin dominues të Vicente del Bosques.

Spanja ka hyrë në histori si skuadra e parë që fitoi tre tituj të njëpasnjëshëm në gara ndërkombëtare (Euro 2008, Kampionati Botëror 2010, Euro 2012) falë stilit të lojës së rrjedhshme, posedimit të njohur si “tiki-taka” të realizuar gati në perfeksion.

Shumica prej futbollistëve që do të paraqiten për shtetin iberik në ‘Londra 2012’, ku Spanja do të paraqitet në garën e futbollit për herë të parë pas 12 viteve, janë produkte të akademive të njëjta me të kurorëzuarit, Xavi, Andres Iniesta, Iker Casillas dhe Fernando Torres.

Gjatë një interviste për Reuters nga baza stërvitore e ekipit në Madrid, Milla tha se përfitoi nga puna e të rinjve të Barcelonës dhe Athletic Bilbaos. “Është fat i madh që klubet janë duke bërë punë fantastike në akademitë e tyre, nga skuadrat modeste deri te ato nga divizioni i parë”, tha Milla, ish mesfushor i Barcelonës dhe i Real Madridit, i cili vitin e kaluar udhëhoqi ekipin U-21 të Spanjës drejt titullit të kampionit të Evropës.

“Ne trajnerët duhet të adaptohemi te profili tashmë i krijuar i futbollistëve dhe të bëjmë gjëra në mënyrë të ngjashme me atë të ekipit senior. Kjo nënkupton zhvillimin e dinamizmit të lojës, përpjekjet për imponimin e dominimit absolut, dominimi në posedimin e topit”, shtoi ai.

Skuadra olimpike e Spanjës përfshin tre futbollistë – Juan Mata, Javi Martinez dhe Jordi Alba – të cilët ishin pjesë e ekipit triumfues të Spanjës nga Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë, kurse Alba ishte një prej realizuesve në fitoren 4-0 ndaj Italisë në finale.

23 vjeçari sapo zyrtarizoi transferimin në Barcelonë nga Valencia, kurse Mata, tjetër ish futbollist i Valencias, sezonin e kaluar fitoi Ligën e Kampionëve me Chelsean. Martinez ishte finalist në Europa League me Athletic Bilbaon, por humbi 3-0 nga Atletico Madridi.

“Ata janë të rinj, por kanë tejkaluar shumëçka me skuadrat e tyre dhe ekipin senior të Spanjës, andaj sjellin pjekuri, energji dhe përvojë. Ata janë shembuj të shkëlqyeshëm dhe shumë të rëndësishëm për futbollistët e rinj”, u shpreh Milla.

Treshja është pa dyshim lider i ekipit, ku përfshihen edhe portieri i Manchester Unitedit, David De Gea, sulmuesi i Atletico Madridit, Adrian Lopez dhe dyshja e Bilbaos, Iker Muniain dhe Ander Herrera. Plejmejkeri i Malagas, Isco shërben kreativitet prapa sulmuesve, kurse mesfushori i Barcelonës, Cristian Tello me shpejtësinë e tij paraqet kërcënim të madh në krahun e majtë.

Spanja fitoi medaljen e artë si nikoqire e Olimpiadës 1992 në Barcelonë, fitorja e saj e vetme në garën e futbollit në nëntë pjesëmarrje në Lojëra, edhe pse mori të argjendtën në Sidnej në paraqitjen e saj të fundit me skuadrën e përbërë nga Xavi dhe Carles Puyol. Spanja do të luajë në Grupin D me Japoninë, Hondurasin dhe Marokun, kurse ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 26 korrik në Glasgow kundër Japonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›