E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja finalistja e pare e Euro 2012

Spanja është emri i parë finalist i Euro 2012-ës. Ky përfundim doli pas 120 minutave emocionuese në Donjeck, ku kampionët fituan 4-2 me penallti ndaj Portugalisë, pasi u ndalën 0-0 gjatë kohës së rregullt dhe shtesave.
Kampionët e Europës e patën shumë të vështirë përballë një Portugalie shumë të organizuar dhe të shpejtë që kishte në radhët e veta superyllin Kristiano Ronaldo.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar dhe me pak raste, ndërsa portugezët e nisën më mirë. Veloso rrezikoi nga goditja e këndit, më pas Arbeloa iu afrua golit për “Furitë e Kuqe” dhe Iniesta provoi pas tij.
Më tej, Kristiano Ronaldo u bë protagonist duke lëshuar dy herë gjuajtje të rrezikshme drejt portës së Kasijasit, ndërsa në krahun tjetër Andres Iniesta vazhdoi të luante në nivelin e tij të jashtëzakonshëm.
Lojtari i Barcelonës iu afrua golit vetëm për pak centimetra, pas aksionit Negredo-Ksavi, por u duk qartë se nuk ishte e lehtë të shënohej në këtë ndeshje.
Në pjesën e dytë, fillimi ishte sërish më i mirë për portugezët. Almeida provoi me disa gjuajtje, ndonëse jo brenda kuadratit, ndërsa kur kishte kaluar një orë lojë, Kristiano Ronaldo pretendoi për penallti, veçse mori një karton të verdhë për simulim.
Sërish Ronaldo e mbajti lart flamurin portugez me një goditje dënimi që kaloi mbi tra, ndërsa në fund të kohës së rregullt ai shpërdoroi atë që mund të kishte qenë rasti i golit të fitores.
Në kohën shtesë, Spanja papritmas ndryshoi ritmin duke fituar epërsi. Pa kaluar mirë 5 minuta, aksioni i gjatë u mbyll me një gjuajtje të Iniestës që u bllokua.
Vazhdoi një aksion-mrekulli në të majtën me Pedron dhe Zhordi Albën, por Andres Iniesta gaboi gjithçka.
Skuadra e Del Boskes iu afrua edhe një herë golit me një goditje dënimi të Sergio Ramosit, që përfundoi fare pak mbi tra.
Spanja e mbylli ndeshjen në sulm, me Navasin që hyri në zonë pranë portës, por gjuajtja e tij u prit nga portieri. Shtatë minuta para fundit, Pedro u vonua në një kundërsulm, ndonëse ishte i vetëm pranë zonës portugeze.
Gjithçka u vendos nga penalltitë, ku Shabi Alonso dhe Mutinjo humbën të parat, ndërsa Sergio Ramos ekzekutoi një 11-metërsh të shkëlqyer, të ngjashëm me atë të Pirlos ndaj Anglisë. Pastaj Bruno Alvesh humbi të katërtën e Portugalisë dhe Sesk Fabregas shënoi golin e kualifikimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›