E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja nje hap larg tripletes historike

Pas kualifikimit të vuajtur me Portugalinë, Spanja fitoi të drejtën të luajë në finalen e Euro 2012, më 1 korrik në Kiev. Në atë sfidë, iberikët do të synojnë të realizojnë “tripletën” historike dhe të bëhen skuadra e parë që arrin të fitojë tre trofe madhorë radhazi.
Me këtë nënkuptohet triumfi në Kupën e Botës, në Kampionatin Europian apo edhe në Kupën e Amerikës, që janë tre turnetë më të rëndësishëm të futbollit botëror. Deri më tani, asnjë përfaqësuese nuk ka arritur të realizojë “tripletën” e titujve të cilën e ëndërron “Furia e Kuqe”, që do të luajë në finalen e Euro 2012, pasi ka triumfuar në euro 2008 dhe në Botërorin 2010.
Pranë këtij objektivi ka qenë Gjermania në vitin 1976: skuadra që në atë kohë njihej si Gjermania Perëndimore humbi Europianin e 76-ës në Jugosllavi, pas disfatës me penallti përballë Çekosllovakisë. Finalja u mbyll me shifrat 2-2, por çekët triumfuan 5-3 pas 11-metërshave dhe pikërisht në atë ndeshje u ekzekutua penalltia e famshme e Panenkas. Më parë Gjermanët kishin fituar Europianin e ’72-shit në Blegjikë dhe Botërorin 1974 në shtëpinë e tyre.
“Dopietën” e ka realizuar edhe Franca, në Botërorin ’98 dhe Europianin e vitit 2000, ndërsa ata zhgënjyen në Kupën e Botës 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut. Në Amerikë vetëm Brazili ka fituar dy turne madhorë radhazi, ku triumfuan në Kupën e Amerikës 2004, pasi më parë kishin fituar në Botërorin 2002.
Për më tepër, nëse triumfon në aktivitetin në Poloni dhe Ukrainë, Spanja do të barazojë Gjermaninë për trofe kontinentalë të fituar. “Furia e Kuqe” ka dy tituj europianë, në vitet 1964 dhe 2008, aq sa ka fituar edhe Franca.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›