E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda dorehiqet Van Marvijk

Pas dështimit të Holandës në Euro 2012, me skuadrën që pësoi tre humbje në po kaq ndeshje të luajtura në grup, trajneri Bert van Marvijk ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës.
60-vjeçari nuk pranoi ti përgjigjej pyetjeve, ndërsa vendimin e konfirmoi nëpërmjet një deklarate për shtyp. “Kisha dyshime, por në fund vendosa që kjo ishte zgjedhja e duhur”, theksonte Van Marvijk, që vitin e kaluar kishte rinovuar me katër vjet kontratën deri në 2016-ën. Deklarata e tij u publikua në faqen zyrtare të Federatës Holandeze, KNVB.
Trajneri kishte marrë drejtimin e skuadrës në korrik të vitit 2008, pas dorëheqjes së Marko van Basten. Me të në krye, holandezët regjistruan një ecuri me 14 fitore radhazi në ndeshjet zyrtare, përpara se të humbisnin 1-0 në kohën shtesë, finalen e Botërorit 2010.
Eliminimi i “tulipanëve” me tre humbje, përballë Danimarkës, Gjermanisë dhe Portugalisë, ka qenë paraqitja më e dobët e skuadrës në aktivitetet madhore. Mediat dhe opinioni publik kanë fajësuar trajnerin për zhgënjimin, ndërsa situata brenda ekipit ishte përkeqësuar prej përplasjeve mes lojtarëve dhe pakënaqësive për zgjedhjet e stafit teknik.
Tashmë federata po punon për gjetjen e trajnerit të ri, i cili do të drejtojë Holandën prej miqësores së 15 gushtit kundër Belgjikës, përpara startit të kualifikueseve të Botërorit 2014. Emrat nuk mungojnë, ndërsa si kandidatë potencialë cilësohen Luis van Gal, Ko Adrianse, Ronald Kuman, Frenk Rajkard apo edhe Rud Gulit. Ndërkohë, alternativa janë edhe Frank de Bur, Fop de Han, Gus Hidink, Gertjan Verbek apo edhe legjendari Johan Krujf.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›