Spanja ftohet në Copa America

Spanja po e konsideron ftesën për të marrë pjesë këtë vit në Copa America në Argjentinë gjatë korrikut, thotë presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF), Angel Maria Villar.
Të hënën, Japonia e konfirmoi tërheqjen e saj nga ky eveniment, i cili do të fillojë më 1 dhe do të përfundojë më 24 korrik, pas katastrofës natyrore që e preku këtë vend muajin që shkoi.
Kampionët aktualë të botës dhe të Evropës po e shqyrtojnë mundësinë nëse do të jenë gati për ta pranuar ofertën e Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), respektivisht presidentit të saj, Julio Grondona.
“Spanja e ka marrë një propozim për të marrë pjesë në Copa America. Jemi pyetur disa herë dhe është një gjë që futbolli spanjoll ia ka borxh Amerikës Jugore, për lojtarët e mëdhenj të atjeshëm që vijnë të luajnë te ne. Unë jam në favor të pjesëmarrjes së Spanjës në këtë turne. Është një gjë që duhet të shqyrtohet me kujdes. Këtë e konsideroj si nder të madh. Do ta shqyrtojmë këtë propozim me bordin”, theksoi presidenti Villar në një konferencë për shtyp.
Federata e Futbollit e Spanjës do t’i shqyrtojë datat e turneut dhe mundësinë që t’u jepet futbollistëve një muaj pushim, në kohën kur klubet e nisin fazën para-sezonale në pjesën e dytë të korrikut.