E Diel, 1 Nëntor 2026

Lukas Barrios: Nuk do të shfaqim respekt për Spanjën

Paraguai

Sulmuesi i Paraguait, Lukas Barrios, deklaroi se skuadra e tij nuk do të tregojë aspak respekt për Spanjën në sfidën e sotme përballë kampionëve të Europës. “Respekti zhduket menjëherë sapo zbret në fushën e lojës. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen kundër Italisë, skuadrës që erdhi në këtë aktivitet si kampione e botës në fuqi”, deklaroi Barrios. “Luajmë përballë një rivali të fortë, por në çerekfinale mund të ndodhë gjithçka”. Edhe pse ka lindur në Argjentinë, ylli i Borusias së Dortmundit zgjodhi të luante për vendin e origjinës së nënës dhe pranoi se fillimisht u surprizua që u përfshi në skuadrën paraguaiane për Kupën e Botës 2010. “Pasaportën e mora vetëm një muaj përpara startit të aktivitetit dhe dokumentacioni u plotësua në kohën e duhur. Tashmë dua t’i shpaguaj të gjithë popullit paraguaian besimin që kishte tek unë”, përfundoi sulmuesi. Ndërkohë, portieri Zhusto Vijar pret që edhe kundër Spanjës, Paraguai të luajë “mirë taktikisht dhe të gjithë lojtarët të sakrifikohen për të marrë rezultat pozitiv”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›