Spanja mbështet integrimin. Berisha: Do dorëzojmë në kohë pyetësorin
TIRANE- Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e Spanjës, Emanuel Montobio dhe Ambasadorin e BE Lohan të cilët e informuan kryeministrin për prioritetet e Presidencës spanjolle të BE-së për gjashtë muajt në vijim. Ambasadorët Montobio e Lohan i shprehën Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Berisha vlerësoi se, “presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë, pas hyrjes së tij ne fuqi”. Ndërsa Traktatin e Lisbonës e cilësoi “si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së.” Bashkimi Europian dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave. Kryeministri Berisha i falënderoi të dy ambasadorët për ekspozenë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për përcaktimin nga ana e presidencës spanjolle të zgjerimit të BE-së si një ndër prioritete kryesore të punëve të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shprehu ambasadorëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përgatitur dhe për t’i dorëzuar Komisionit Europian dokumentin më cilësor me përgjigjet për pyetësorin dhe për të marrë çdo masë e për të realizuar çdo reforma në fushat prioritare, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë të përpara, si në ecjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për liberalizimin sa më shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të falënderojë të dy ambasadorët për vizitën që ata kryen në zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e jashtëzakonshme, si dhe për ndihmën dhe solidaritetin që vendet e Bashkimit Europian i ofruan Shqipërisë për kapërcimin e kësaj situate.(m.a/BalkanWeb)