Spanja mohon të ketë kërkuar ndihmë nga FMN
Spanjë- Ministri i Ekonomisë në Spanjë, Luis de Guindos ka hedhur poshtë raportimet se vendi ka kërkuar ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, duke i cilësuar si të pakuptimta.
‘Dëshira ime është që të dal dhe të mohoj zërat dhe thashethemet pasi ato janë të pakuptimta’- tha de Guindos për një televizion spanjoll.
Ndërkohë që edhe FMN ka mohuar se Spanja kishte kërkuar për të diskutuar për një kredi shpëtimi. FMN ka kontribuar në kreditimin e të gjitha kombeve të tjera të Eurozonës, të tilla si Greqia, që kishin nevojë për ndihmë.
Dje, presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane (BQE) Mario Draghi e ka përshkruar skemën e Eurozonës si të paqëndrueshme. U raportua më herët se Spnaja i ka zënë vendin Greqisë si epiqendër e krizës së Eurozonës lidhur me shëndetin e bankave spanjolle që kanë tronditur tregjet. Banka e katërt më e madhe në vend, ‘Bankia’ ka kërkuar së fundmi një ndihmë 19 miliardë eurosh në Madrid dhe shumë pyetje linden nëse Spanja do të jetë në gjendje ta përballojë atë.
Shifrat e reja ekonomike që u diskutuan dje në Parlametin Evropian treguan se inflacioni i Eurozonës u ngadalësua më shumë sesa pritej këtë muaj. Inflacioni në 17 vendet që përdorin Euron u lehtësua në 2.4% në muajin Maj nga 2.6% që ishte në muajin Prill.
Dorina Bilbili/IDEA/