Gërdeci, Topi “pret” kokën e Gjeneral Hoxhës
Presidenti i Republikës firmosi shkarkimin e Luan Hoxhës, nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Firma mbi dekretit e shkarkimit është bërë pas kërkesës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili ka kërkuar shkarkimin e Gjeneral Lejtnant Hoxha. Disa herë Kryeministri kishte vënë gishtin mbi krerët e Forcave të Armatosura si shkaktarë kryesorë për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Ndër të parët që u morën në pyetje menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit ishte dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe që nga momenti i tragjedisë së Gërdecit, ai ishte personi kryesor që akuzohej nga të gjitha palët, përfshi dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për 15 marsin. Presidenti i Republikës, duke qenë edhe kryetar e KLD-së, zgjidhi dje dilemën për firmosjen e dekretit të shkarkimit të z. Hoxha, duke i hapur rrugë procedimin penal nga ana e strukturave të prokurorisë mbi përgjegjësit. Dekretimi i shkarkimit të Gjeneral Luan Hoxhës u bë disa orë para se Kuvendi të mblidhej sipas kalendarit të paracaktuar për të votuar mbi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shkarkimi i gjeneralit Hoxha vjen pas shkarkimeve nga posti të dy ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Shpëtim Spahiut dhe Gjeneral Brigade Zija Bahjes. Në fillim të muajit maj me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Presidenti Topi dekretoi shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të Gjeneral Major Shpëtim Spahiut, me detyrë Komandant i Forcës së Bashkuar, dhe të Gjeneral Brigade Zija Bahja, me detyrë Komandant i Komandës Mbështetëse në Gërdec. Sipas Ministrit Oketa, të dy gjeneralët kishin shkelur aktet normative në fuqi dhe nuk kishin ushtruar me përpikmëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara mbi funksionin që ata kryenin, gjë që solli dhe tragjedinë e Gërdecit. Ndërkohë që në valën e këtyre shkarkimeve, Kryeministri Berisha firmosi dhe shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, nënkolonel Hysni Gjergji. Në njoftimin për shtyp të Presidencës nuk jepen detaje që mund të saktësojnë motivet që detyruan Presidentin e Republikës, Bamir Topi, të firmosë shkarkimin e Gjeneral Hoxhës. Por mësohet se ky vendim i marrë nga kreut i shtetit, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ka si argument kyç pikërisht shpërthimin tragjik në fabrikën e demontimit “Alba Demil”, në Gërdec, më 15 mars. Pas shkarkimit të z. Hoxha nga shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, pritet zëvendësimi i tij, ndërkohë që flitet që pasardhësi i tij do të jetë njëri nga 4 gjeneralët e dekretuar para pak ditësh nga kryetari i shtetit, Bamir Topi. Kryetari i shtetit dekretoi dhënie të gradës madhore Gjeneral Brigade për Kolonel, Vladimir Qiriazi, për Kolonel Zyber Dushku, për Kolonel Viktor Bërdaj dhe Kolonel Maksim Malaj. Njëri nga katër kolonelët pritet të jetë dhe zëvendësi i Luan Hoxhës në krye të Forcave të Armatosura. Duket se më i favorizuari është kolonel Vladimir Qirjazi. Gjithashtu mësohet se për zëvendësuesin e Hoxhës do të ketë negociata mes krerëve të shtetit.
Luan Hoxha: Prokuroria të zbardhë tragjedinë e Gërdecit
I saposhkarkuar nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Luan Hoxha, njoftoi mediat se nuk është njohur me dekretin e Presidentit Bamir Topi. Ky ishte i vetmi koment që ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së bëri pak orë pas firmosjes nga kreu i shtetit të dekretit për shkarkimin nga detyra. Në orët e pasdites së djeshme, Luan Hoxha falënderoi përkushtimin dhe punën e Forcave të Armatosura në punën e bërë deri tani, teksa kërkoi zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Pikërisht për ngjarjen e Gërdecit, ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, z. Hoxha, bëri të ditur se kishte zgjedhur heshtjen për t’u hapur rrugë hetimeve të pavarura dhe veprimeve të institucioneve për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë. Në vijim të deklaratës së tij, Hoxha i kërkoi institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme që të zbardhë ngjarjen e Gërdecit dhe të gjejë përgjegjësit për tragjedinë e madhe të 15 marsit.