E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja sovrane ne Champions

Kriza e Spanjës preku edhe skuadrat e La Ligas, që gjatë merkatos së verës shpenzuan shumë pak. Borxhet e klubeve janë kolosale, ndërsa shpeshherë ato karakterizohen edhe nga rrogat shumë të larta. Megjtihatë, skuadrat spanjolle nuk kanë harruar të fitojnë në fushë.

Në raundin e dytë të ndeshjeve në grupet e Champions League, 4 ekipet iberike pjesëmarrëse në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent kanë fituar, me 11 gola të shënuar në total dhe vetëm 1 të pësuar.

Nëse analizohen edhe statistikat e ndeshjeve të para në grupe, dominimi i skuadrave spanjolle në Champions prishet disi vetëm nga humbja e Valencias përballë Bayern Munchen: megjithatë ecuria mbetet e jashtëzakonshme: 7 fitore në 8 ndeshje, me 21 gola të realizuar dhe vetëm 7 të pësuar.

Barcelona dhe Reali udhëheqin paraqitjet e shkëlqyera, me të dyja këto skuadra që janë pretendentet kryesore në Europë. dy fitore në po kaq ndeshje për katalanët dhe “merengue” ishin mëse të pritshme, pavarësisht se ato kanë vuajtur në takimet e para.

Por, ajo që ka mahnitur më shumë është Malaga. Nëse llogariten edhe ndeshjet e fazës “play off” përballë Panathinaikos-it, skuadra e Pellegrinit nuk ka pësuar gol në 4 ndeshje ndërkombëtare të luajtura. Shpërblimet e UEFA-s për këtë klub janë të ngrira deri sa të zbardhet situata financiare. Megjithatë, entuziazmi është i madh, prej dy fitoreve me shifrat 3-0 përballë Zenitit dhe Anderlecht-it.

Në anën tjetër, Valencia ka bërë detyrën. Humbja me Bayernin ishte e parashikueshme, ndërsa fitorja me Lille-n shërbeu që skuadra të mbetet në pozita për të synuar kualifikimin. Tashmë do të jetë ndeshja në Bjellorusi me surprizën Bate Borisov ajo që do të tregojë ambiciet reale të ekipit të Pellegrino-s.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›