E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e Shumaherit

Ai nuk do të jetë më në timonin e një makine të Formula 1. Legjenda e madhe Mihael Shumaher, ndoshta më e madhja legjendë e këtij sporti, ka vendosur të thotë “mjaft” për herë të dytë dhe besohet të fundit, pra një “lamtumirë”.
“U mendova mirë, tha në fund, kisha energji që të vazhdoja, pata oferta, por ndonjëherë është më mirë të largohesh”.
Piloti i jashtëzakonshëm gjerman, me gjoksin të ngarkuar me medalje, rekorde e dekorata, do të drejtojë makinën e tij “Mercedes” deri në mbyllje të këtij kampionati botëror dhe pastaj do të largohet drejt pensionit sportiv, për të shpenzuar më shumë kohë me gruan e tij, Korinën, dhe dy fëmijët. Në vend të tij, do të jetë një i shkëlqyer si Ljuis Hamilton që do të përpiqet të ringjallë epokën e Mercedesit.
Ai ka fituar 7 tituj botëror duke qenë rekordmen dhe duke mbajtur edhe shumë rekorde të tjerë në Formula 1, si numrin më të madh të pikëve në karrierë, numrin më të madh të fitoreve, të “pole position”-ëve apo të xhirove të shpejta.
Në 3 janar të vitit të ardhshëm ia mbush 44 vjeç, ndërsa fillimet e karrierës i pati më 1991 me makinën Xhordan-Ford, duke qenë një zëvendësues i të burgosurit Bertrand Gasho, ndërsa Mercedesi pagoi 150 000 dollarë për të.
Shumi fitoi titujt botërorë më 1994 dhe 1995 me Beneton Fordin, ndërsa më 1996 kaloi tek Ferrari. Me “kokëkuqen” ai fitoi kampionatin botëror në vitet 2000, 2001, 2002, 2003 dhe 2004, ndërsa në dy sezonet e fundit të pjesës së parë të karrierës, u mund nga piloti i Renosë, Fernando Alonso, që doli kampion bote në 2005 e 2006.
Në vitin 2010 ai u rikthye si piloti i Mercedesit, por pa pasur suksese të rëndësishme dhe pas 3 vitesh përpjekjesh, pa asnjë fitore, vendosi të largohej.
Me 7 tituj botërorë, me 91 fitore në Formula 1, me 155 podiume, 68 “pole position”-ë, 77 xhiro më të shpejta dhe 1560 pikë të fituara në karrierë. Të gjitha rekorde.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›