E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdisësit i blejnë klubet

Kurdisja e ndeshjeve është bërë problem serioz për futbollin në vitet e fundit. Shefi i sigurisë në FIFA, Chris Eaton ka treguar se kurdisësit janë duke blerë klube të kategorive më të ulëta dhe kështu manipulojnë rezultatet e takimeve, duke fituar para nga vënia e basteve. Por, ai zotohet për luftimin e bandave kriminale duke mbrojtur vlerat e sportit. Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 09:03

Bandat kriminale janë duke bërë investime afatgjata në kurdisje të ndeshjeve, duke blerë klubet dhe kampet e organizuara për stërvitjen e gjyqtarëve si pjesë e përfshirjes së tyre në futboll, ka thënë shefi i sigurisë në FIFA, Chris Eaton gjatë një interviste për Reuters.

Eaton theksoi se si pjesë e përgjegjës së saj, FIFA dëshiron të shërbejë mbrojtje të dëshmitarëve, përfshirë futbollistët të cilët paraqiten për të treguar nëse kontaktohen nga kurdisësit dhe do të konsiderojë rehabilitimin e atyre të korruptuarve në moshën e re. FIFA po ashtu do të hapë një linjë telefonike, ku kushdo mund të japë informacione për sjellje të dyshimta.

“Ne duam të merremi me manipuluesit dhe t’i frikësojmë ata. Duhet të kuptojnë se ne jemi seriozë dhe FIFA do t’i mbrojë njerëzit e saj, sportin e saj nga këta njerëz që nuk kanë fare vetëdije”, tha ai. “Infiltrimi është fjalë e fuqishme, por vlerësimi im është se krimi i organizuar ka infiltruar disa klube të futbollit me qëllim të vetëm për përfitimin e parave nga shumat e mëdha të të hyrave që gjenerohen nga bastet”, tha ai.

Blerja e klubeve ishte mënyrë për grupet e organizuara të kontrollojnë rezultatet e ndeshjeve, paralajmëroi Eaton, i cili punoi në Interpol për më tepër se 12 vite para se ti bashkohet FIFA-s. “Jemi dëshmitarë të një trendi për blerjen e klubeve në shkallë më të ulëta dhe lëvizjen e futbollistëve si dhe trafikimin e tyre”, theksoi ai, duke shtuar se kjo ndodh kryesisht në shtetet “më pak të pasura”.

“Ekziston një trend i trafikimit të futbollistëve, lëvizjes së tyre në liga tjerë me një udhëheqës. Jemi duke parë gjyqtarët ose futbollistë në shkolla zhvillimore, disa prej të cilave janë cak i kriminelëve. Ata janë duke investuar në baza afatgjata në kompromis me këta futbollistë. Ata (kampet zhvillimore) shpeshherë përkrahen nga një federatë dhe ndoshta federata nuk e di se kush qëndron prapa saj”, theksoi ai.

Rasti i Finlandës
Kurdisja e ndeshjeve, zakonisht nga rrjete të basteve ilegale, është bërë problem madhor për futbollin në vitet e fundit. Në një rast të mëparshëm në Finlandë, Wilson Raj Perumal, reprezentues i Singaporit, ishte burgosur me dy vite, ndërsa nëntë futbollistë të tjerë – përfshirë dy nga Zambia dhe dy gjeorgjianë – u dënuan me kusht për përpjekje në kurdisjen e ndeshjeve. Perumal pagoi deri në 20 mijë euro për ndeshje dhe mori deri në 50 mijë euro, sa herë që ishte kurdisur ndonjë ndeshje e skuadrës Rovaniemi.

Eaton tha se afrimi te futbollistët ose gjyqtarët shpeshherë fillon me një dhuratë.

“Ata i shkojnë një futbollisti dhe i thonë: ‘Ti ke luajtur shumë mirë sot, kam fituar pak para prej teje, merri këto 1 mijë euro’. Herën tjetër që ai luan, i njëjti person i jep atij edhe 1 mijë euro të tjera. Për disa prej këtyre futbollistëve, flasim për ligat e treta ose të katërta, është më tepër se që fitojnë për një takim.

Herën e tretë ata thonë: ‘Mund të jap 10 mijë euro nëse nuk shënon një gol sot, ose nuk lejon të pranoni një gol’. Ata presin jashtë zhveshtoreve, i njohin futbollistët, e dinë ku jetojnë futbollistët, ata kanë një udhëheqës”, shpjegoi Eaton që tregoi se “kjo është ajo që bëri Perumal me disa futbollistë afrikanë në Finlandë, ai u dha atyre para dhe dhurata, e pastaj kërkoi prej tyre të bëjnë diçka për të”. Por, jo të gjitha përpjekjet për të kurdisur ndeshjet ishin të suksesshme.

“Këta janë atletë, ata përfshihen në ndeshje dhe harrojnë marrëveshjet e tyre. Ata bëhen entuziastë në ndeshje dhe nuk shkon me mënyrën e planifikuar e më pas dënohen. Kemi shembuj të futbollistëve dhe gjyqtarëve që janë rrahur seriozisht”, përfundoi Eaton. Më herët gjatë këtij viti, FIFA formoi një task-forcë me Interpolin, duke premtuar 20 milionë euro donacion në luftë kundër kurdisjes së ndeshjeve në 10 vitet e ardhshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›