E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionia e Frances Lila barazon 2-2 me Soshone

Kampionia e Francës nuk arriti të ngjitej në krye të renditjes së kampionatit, ndonëse luante në shtëpi. Lila u ndal në një barazim 2-2 nga Sosho. Nuk pati gola në pjesën e parë, përveçse disa momente të rrezikshëm në të dyja portat.

Fillimisht, kapiteni i Lilës, Mavuba, rrezikoi ekipin me një kthim të topit prapa, por topi i gjuajtur me hark nga Martin u largua nga Beria pranë vijës fatale.

Më tej, Lila iu afrua golit kur Koul dërgoi një top në zonë, ndërsa sfera nuk u spastrua siç duhet e Musa Sou gjuajti në ajër. Sërish shpëtimi erdhi pranë vijës fatale, me ndërhyrjen e Matjë Pejbernesë.

Në pjesën e dytë, Lila kaloi menjëherë në epërsi kur Eden Hazard krosoi në zonë dhe aty Benua Pedreti shënoi me kokë që në minutën e 4-ët. Gjërat u ndërlikuan për vendasit në minutën e 55-të kur Matjë Debyshi u nxorr nga loja me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj mbrojtësit brazilian, Karlao.

Sosho barazoi menjëherë pas kësaj kur Budebuz shërbeu për Bakambun dhe ky e dërgoi fare lehtë topin në rrjetë në minutën e 69-të.
Kampionët nuk u dorëzuan dhe u duk sikur e fituan ndeshjen në minutën e 78-të me një penallti të fituar nga Pedreti dhe realizuar nga Hazard. Por festa nuk zgjati shumë pasi 4 minuta para fundit ishte Sloun Prajvët që realizoi me kokë për barazimin 2-2. Sot pritet të luajnë Lioni ndaj Marsejës, por edhe Paris SG.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›