E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë-Holandë, përballjet kokë më kokë

TIRANE-Kaunt-dauni ka nisur. Sot në orën 20.30, Spanja e Holanda kërkojnë Kupën e parë të Botës, ndërsa në fushë do të jenë 22 futbollistë të një klasi të lartë. Përballë do të jenë dy filozofi të ngjashme në thelb, por të aplikuara ndryshe në fushë. Por, janë duelet kokë më kokë ato që të thonë diçka se kush është favoriti për këtë finale.

Porta: Stekelenburg-Kasijas. Portieri holandez mundi më në fund të dilte nga hija e Van der Sar. Ka shumë perspektivë, por i duhet ende shumë punë për të barazuar gardianin e Mançesterit, siç tregon edhe mbrëmja jo e mirë ndaj Uruguajit. Ndërsa Kasijas është kapiteni i Spanjës. Deciziv kundër Paraguajit, i vëmendshëm në goditjen e gjermanit Toni Kros. Mes të mirëve të botës dhe avantazhi është për Spanjën.

Van der Viel-Serxho Ramos. Anësori i djathtë i Holandës është i aftë të shtyjë në fundore, por lejon disa hapësira mbrapa dhe në këtë takim i duhet të përballet me Iniestën dhe Pedron. Ndërsa spanjolli është një forcë e natyrës nga ana atletike dhe ka më shumë eksperiencë. Gjithsesi, nuk është gjithnjë i kthjellët dhe kundër Kajt është e ndaluar të gabosh. Barazim.

Heitinga-Pike. Mbrojtja, sidomos në qendër, është pika e dobët e portokallinjve. Heitinga gaboi fatalisht ndaj Brazilit, në pasimin e Felipe Melos për Robinjon. Ndërkohë Pike është një nga mbrojtësit më interesantë në qarkullim. Shkaktoi një penallti ndaj Paraguajit, por mbetet një forcë e madhe e kampionëve të Evropës. Avantazh për Spanjën.

Matijsen-Pujol. Holandezi është një lojtar normal, detyrën di ta bëjë. Por, duhet të merret me David Vijën. Suksese djalosh. Ndërsa Pujol, veterani i mijëra betejave, ndoshta nuk është ai i ditëve më të bukura, por di të bëjë diferencën, si ndaj Gjermanisë. Një plus për Spanjën.

Van Bronkhorst-Kapdevija. Kapiteni holandez është në Botërorin e tretë dhe po tregon një figurë të mirë. Luan në pozicion dhe dhuron cilësi. Goli ndaj Uruguajit pastaj ishte një kryevepër. Ndërsa majtoshi iberik siguron ekuilibër dhe pjekuri taktike. Por, të markosh Roben është tmerr. Avantazh për Holandën.

De Jong-Buskets. Mesfushori holandez është një mbledhës topash potent dhe i shpejtë. Do t’i bëhet rrodhe Ksavit. Nuk është një maestro në regji, por mbështet shumë. Ndërkohë spanjolli është duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. Ka një fizik të mirë dhe këmbë të besueshme. Nuk është i shpejtë dhe të ndalojë Shnajder nuk do ta ketë të lehtë. Avantazh për Holandën.

Van Bomel-Ksabi Alonso
Holandezi është futbollisti inteligjent dhe i aftë të përdorë mënyrat e forta në mesfushë. Nuk është një jashtëtokësor, por topin di ta pasojë. Ndërsa Alonso siguron cilësi dhe sasi për Del Bosken, përveç konkluzioneve nga distanca. Spanja në avantazh.

Roben-Pedro. Arjen Roben tani të fut frikën. Ka lënë pas dëmtimin dhe ka rigjetur formën. Ka një dribling dehës, sprint të tmerrshëm dhe shpesh është i pakapshëm për askënd. Pedro ndërkohë e zëvendësoi më së miri Fernando Torres ndaj Gjermanisë, edhe pse kur duhej të pasonte topin nuk e bëri. I rrëshqitshëm si një ngjalë, por Holanda këtu është në avantazh.

Shnajder-Ksavi. Ky është dueli më i fortë. Shnajder e Ksavi janë të parët në nominimin e FIFA-s për Botërorin. Holandezi deri tani ka shënuar 5 gola, të gjithë decizivë. Po jeton një moment magjik dhe çdo gjë i ecën për mbarë. Spanjolli ndërkohë personifikon trurin dhe elegancën, ndërsa me Gjermaninë ishte në rritje. Por, fitorja është për Holandën.

Kajt-Iniesta, Janë shumë të ndryshëm. Spanjolli ndoshta do të ndryshojë krahun me Pedron, por nuk është një anësor puro, megjithëse mbetet një mesfushor i kompletuar me cilësi të mëdha. Ndërsa holandezi është një sulmues i tërhequr, i palodhshëm dhe vrasës përpara portës. Një përplasje pa fitues.

Van Persi-Vija. Sulmuesi i Arsenalit, sipas trajnerit Van Marvijk, do të shpërthejë në finale. Por, deri nuk ka shkëlqyer dhe kundër Pike e Pujol nuk do ta ketë të lehtë. Ndërsa Vija ka shënuar 5 gola në 6 ndeshje, ashtu si Shnajder, megjithëse ndonjëherë është rreshtuar në të majtë, si një sulmues i dytë. Kjo thotë gjithçka. Avantazhi i shkon Spanjës.

Si përfundim, duelet kokë më kokë janë 5-4 në favor të Spanjës. Por, në fushë nuk vendos kjo. Të dielën në mbrëmje do të mësohet gjithçka.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›