E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, të shtunën Real-Barcelona, Ronaldo përballë Mesit

MADRID- Reali i Madridit dhe Barcelona luajnë të shtunën ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, kur të përballen mes tyre në Santiago Bernabeu. Një vit më parë, kjo sfidë përfundoi me fitoren 6-2 të ekipit katalanas, që më pas fitoi edhe titullin kampion. Por, gjërat janë ndryshe këtë sezon. El Klasikos do t’i mungojnë dy yje si Rikardo Kaka për Realin dhe Zllatan Ibrahimoviç për Barcelonën. Të dy lojtarët janë të dëmtuar dhe nuk janë grumbulluar fare nga trajnerët respektivë.
Barcelona është një skuadër shumë e mirë, por unë nuk kam frikë askënd, deklaron trajneri i Realit Manuel Pelegrini. “Pres një ndeshje shumë të hapur, - thotë ai. – Përballen dy skuadra të ndryshme, që praktikojnë një lojë të ndryshme, por shumë efikase”. Ndeshja e sotme, sqaron trajneri kilian, nuk është një duel mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, duke e quajtur futbollin një sport kolektiv. I pyetur për një krahasim mes tyre, Pelegrini përgjigjet: “Mesi e Ronaldo janë dy futbollistë të ndryshëm, janë shumë të rëndësishëm për skuadrat respektive, por Liga nuk përfundon nesër, pasi janë edhe 7 ndeshje të tjera dhe 21 pikë në lojë. Klasikja është shumë e rëndësishme, por fituesi do të gabonte nëse do të ndjehej kampion pas saj”.
Në krahun tjetër, Pep Guardiola e pranon hapur: “Sfida me Realin e Madridit nuk është një finale, por duhet të luhet sikur të jetë e tillë, pasi kush humbet do të marrë një goditje të rëndë”. Ai ka premtuar se skuadra e tij nuk do të luajë në mbrojtje në shtëpinë e rivalëve të përjetshëm. “Në Bernabeu duhet të jesh shumë guximtar, duhet të tregohesh trim. Do të shkojmë në Madrid për të bërë ndeshjen dhe jo për të pritur kundërshtarin. Kemi mundësi të rifitojmë kampionatin dhe do t’i luajmë shanset tona deri në javën e fundit”, shton tekniku i skuadrës katalanase. Në lidhje me fitoren 6-2 të sezonit të shkuar, Guardiola është i vetëdijshëm. “Këto gjëra ndodhin vetëm njëherë në jetë, jo më shumë, - thotë ai. – Reali në Bernabeu luan ndeshje të mëdha. I kam parë dhe kanë shkëlqyer, janë një skuadër e nivelit shumë të lartë. Kur duhen edhe 8 javë deri në fund, Barcelona dhe Reali i Madridit janë në kuotë të barabartë pikësh, nga 77 secila.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›