Spanjë, triumf i Lorencos me parakalim në xhiron e fundit
Super Horge Lorenco. Spanjolli i Yamahas fitoi me meritë të plotë garën e Spanjës përpara tifozëve të tij, duke festuar më pas me një zhytje në pellgun artificial të pistës. Një festë “alla Valentino Rosi”, që dje, i treti, duhej të përkulej para garës praktikisht perfekte të shokut të skuadrës. Ashtu sikurse edhe Daniel Pedrosa, i dyti pas një gare të gjithën në krye, deri dy xhiro para finishit, kur Horge gjeti momentin e duhur për sulm me frena, ndaj të cilit piloti i Hondës nuk diti të replikojë, siç i ka ndodhur shumë herë në karrierë. Vendi i katërt dhe i pestë për Dukatët e Niki Hajden dhe Kejsi Stoner (australiani u duk jashtë gare dhe mbyllja pas shokut të skuadrës nuk ishte një sinjal i mirë). I gjashti Andrea Doviciozo me Hondën tjetër. Lorenco reagoi si një kompjuter në menaxhimin e gjithë garës. Që në mëngjes u duk se hapi i tij në garë do të ishte i mirë. Më pas u duk se ajo nisje jo e shkëlqyer do ta vinte në vështirësi. Edhe pse Pedroza dhe Rosi i kanë befasuar të gjithë me ritmin e tyre të shpejtë. Ndërsa Lorencos i është dashur të lirohet nga Dukatët, një lloj humbjeje kohe, që herë të tjera do të kishte kushtuar shtrenjtë. Por jo dje. Tani Lorenco drejton edhe Botërorin me 45 pikë, 4 më shumë se sa Valentino Rosi.
Horge, shumë i duruar, ka nisur “remuntada”-n (“përmbysjen”) personale farë xhirove të shpejta, falë të cilave u është afruar Valentinos deri sa e ka parakaluar, ku duheshin pesë xhiro para fundit. Gjithçka mbaroi? Jo. Të shikoje Pedrozën përpara ishte një nxitje e mëtejshme. Dhe në fakt këtu vjen përshpejtimi për të shkuar drejt fitores. Kur duheshin edhe tri xhiro vjen tentativa e parë, pak bindëse: Pedroza arrin të ruajë pozicionin. Por në xhiron e mëpasme vjen sulmi deciziv: bën sikur do tentojë në parakalimin nga jashtë dhe futet mjeshtërisht nga brenda kthesës, Dani u shmang pa mundur të bëjë asgjë. Rosi, ndoshta në një formë pas dëmtimit në shpatull, ka mundur vetëm t’i vështrojë. Edhe ky mund të jetë një farë lajmi. “Barcelona humbi ndaj Interit, por unë fitova ndaj Valentinos, që bën tifo për Interin”. Kështu Lorenco thekson se është “hakmarrë” për eliminimin e Barçës në Champions League.
#