Spanjollët ja “mësyjnë” Gjibraltarit

Në orët e para të mëngjesit, në kufirin mes Gjibraltarit dhe Spanjës, pothuajse i tërë komunikacioni zhvillohet vetëm në një drejtim.
Rreth 4300 spanjollë, të cilët jetojnë në territorin spanjoll, të njohur si "El Campo de Gibraltar", në afërsi të këtij territori britanik, ndërmarrin për çdo ditë udhëtimin e shkurtër deri në Gjibraltar, për të punuar.
Sipas Juan Jose Uceda, nga Asociacioni i Punëtorëve Spanjollë në La Linea de la Concepcion, qytetit kufitar me rreth 70 mijë banorë, ekzistojnë rreth 12 mijë spanjollë, të cilët tani punojnë në Gjibraltar.
“Gjibraltari është një rrugëdalje për shumë njerëz, të cilët po vuajnë nga situata tejet e keqe këtu”, thotë Uceda.
Në Gjibraltar pothuajse të gjithë punojnë dhe ky vend shërben si një burim jetësor i vendeve të punës për pjesët jugore të Spanjës, rajon ky i cili po përballet me një rënie ekonomike dhe masat shtrënguese, të ndërmarra nga qeveria spanjolle.
Një nga arsyet kryesore se pse Gjibraltari është një opsion atraktiv për bizneset nga jashtë, është shkalla relativisht e ulët e tatimeve.
Kompanitë e huaja, të cilat kanë vendosur selitë e tyre në Gjibraltar, por të cilat kanë bërë biznes edhe në vendet tjera, nuk kanë paguar fare tatim. Ndërsa kompanitë, të cilat kanë bërë biznes vetëm në Gjibraltar, kanë paguar 35 për qind tatime.
Sidoqoftë, në vitin 2011, pas trysnisë së ushtruar nga Bashkimi Europian, qeveria e Gjibraltarit mori vendim që të zbatoi nivelin prej 10 për qind të tatimeve për korporatat.
Ministri kryesor i Gjibraltarit, Fabian Picardo, i cili mori përsipër funksionin pas zgjedhjeve, të cilat u zhvilluan në nëntor të vitit të kaluar, thotë se niveli i tatimeve për korporatat në Gjibraltar është vetëm paksa më i lartë se ai në Republikën e Irlandës apo në Hungari.
“Parajsat të liruara nga tatimet i takojnë së kaluarës. Ka konkurrencë të madhe për tatimet, siç ka konkurrencë të madhe edhe për të gjitha gjërat tjera”, theksoi Picardo.
Historiani lokal dhe ciceroni turistik, Tito Vadello-Smith, thotë se emri i tij përmbledh edhe identitetin e tij.
“Nuk mund të kesh një emër më spanjoll se Vidello, apo një emër më anglez se Smith”, krenohet ai.
“Megjithatë, unë nuk jam spanjoll, nuk jam anglez. Jam britanik nga Gjibraltari”, shton Vidello-Smitrh.
Gjibraltari është pjesë e Britanisë që nga viti 1713, kur Spanja ja dorëzoi Britanisë këtë territor, në kuadër të Traktatit të Utrehtit.
Diktatori9 spanjoll, Francisco Franco, mbylli kufirin në vitin 1969, pasi që theksoi se Gjibraltari duhet t’i kthehet Spanjës.
Kufiri u rihap sërish tek në vitin 1982.
Që nga ajo kohë, edhe Partia Popullore e krahut të djathtë në Spanjë, ka shpalosur pretendimet mbi këtë territor.
Sidoqoftë, që nga koha kur kjo parti mori përsipër pushtetin në dhjetor, publikisht është folur shumë pak për statusin e Gjibraltarit.
Sot, njerëzit në të dy anët e kufirit janë të prirë për të folur për rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike të Gjibraltarit me Spanjën.
Tito Vadello-Smith e përshkruan Gjibraltarin si “fabrikën më të madhe në rajon”.
Ekonomia e Gjibraltarit ka sektorë të gjerë, të cilët i dedikohen fushës së financave dhe bankave, si dhe industrisë së lundrimit.
Profesori John Fletcher, nga Universiteti i Bournemouthit, në vitin 2009 ka bërë një studim në lidhje me rëndësinë ekonomike të Gjibraltarin për El Campo de Gibraltar.
Ai zbuloi se në vitin 2007, spanjollët, të cilët kanë kaluar kufirin, për të punuar në Gjibraltar, kanë fituar rreth 43 milionë funte.
“Gjibraltari është një katalizator dhe shërben si motor i rritjes në rajon”, thotë ai.
Fletcher është i mendimit se marrëdhëniet ekonomike po funksionojnë në të dy shtigjet, si në atë tregtar, ashtu edhe në atë të shërbimeve.
“Edhe Gjibraltari po përfiton nga rajoni. Nuk bëhet këtu fjalë për një rrugë me një drejtim”, nënvizon Fletcher.
(BBC)