Presidenti Topi takon në Itali homologun, Xhorxho Napolitano
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, është pritur me një ceremoni solemne në Pallatin Kuirinale në Romë. Pas ekzekutimit të himneve kombëtarë respektive dhe kalimit në revistë të Rojës së Nderit, presidenti Topi zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor me Presidentin e Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano. Në bisedën mes tyre, dy presidentët vlerësuan këtë vizitë si një moment kulmor dhe shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e çmuar nivelin e këtyre marrëdhënieve si të shkëlqyer, çka buron nga lidhjet historike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë. Bashkëbiseduesit vunë në dukje se vijueshmëria e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, që është një dëshmi në vazhdimësi për një vullnet të konsoliduar politik, veçse gjallëron e forcon bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Në këtë takim, kryetari i shtetit e njohu homologun italian me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në vend, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave kushtetuese, zgjedhore, në drejtësi, ekonomi etj., si faktorë të rëndësishëm jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. “Ne do të mirëprisnim që Italia të ishte avokatja e Shqipërisë në mbështetje maksimale dhe intensive në procesin integrues të vendit në NATO dhe BE”, - u shpreh Presidenti i Republikës, duke shprehur besimin në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga dy Dhomat e Parlamentit italian. Presidenti Napolitano nga ana e tij ka theksuar se Italinë me Shqipërinë e lidh një miqësi e thellë e krijuar ndër vite. Ai bëri të ditur se Italia ka mbështetur fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE dhe do të vazhdojë të mbështesë këtë përpjekje të Shqipërisë. “Shprehim të njëjtin besim dhe të njëjtin përkushtim për fuqizimin dhe Bashkimin Europian, duke shprehur edhe një vlerësim pozitiv mbi sprovat e fundit të kaluara nga BE-ja me iniciativa dhe vendime të përbashkëta si përballë sfidës ruse-gjeorgjiane, ashtu edhe përballë krizës financiare botërore. Dhe në këtë rrugë me presidentin Topi, Italia dhe Shqipëria do të vazhdojnë të punojnë së bashku”, - është shprehur presidenti italian.
15 Tetor 2008