E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kundërshton kandidaturat e PD-së për anëtarë të KKRT-së

Kandidaturat për anëtarë të KKRT-së shkaktojnë debate në Komisionin e Medias. Leskaj: “Kandidati duhet të vijë nga shoqëria civile, dhe jo nga strukturat partiake”

Eljona Ballhysa
Përpjekja e Partisë Demokratike për të miratuar anëtarin e ri të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit ka shkaktuar debate të ashpra gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Medias. Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka paraqitur gjatë mbledhjes së djeshme dy emra kandidatësh, Altin Ndroqin dhe Ermal Gjonajn, për postin e mbetur vakant në KKRT, pas shkarkimit nga maxhoranca të nënkryetarit Frano Kulli. Por ky propozim i Patozit është kundërshtuar nga kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Ajo është shprehur se, sipas ligjit, kandidaturat duhet të paraqiten nga shoqëria civile, dhe jo nga Partia Demokratike, pasi është shkelje e hapur e ligjit.
Debati
“Ne nuk kemi pranuar kurrë që të sjellim propozime si parti. Kandidaturat duhet t’i sjellë shoqëria civile. Ligji për mediat elektronike është këtu, lexojeni. Ju po shkelni hapur ligjin. Sepse në fund të fundit është themelore barazia e njerëzve për të konkurruar. Këtyre u hiqet mundësia. Pasi vetëm një parti politike propozon. Duhet të propozojë dhe shoqëria civile. Duhet t’i japim mundësinë njerëzve të konkurrojnë, nuk mund të sillni këtu vetëm dy kandidatura. Çështja është se, nëse doni ta bëni me forcën e kartonit, bëjeni, ne nuk ju pengojmë”, - është shprehur kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj. Ndërsa deputeti i PD-së, Patozi, u shpreh se kandidaturat janë të pavarura dhe nuk janë të përfshira në asnjë strukturë partiake. “Këtu nuk ka asgjë për të politizuar. Nisma shumë transparente. Vjen nga Grupi Parlamentar i PD-së. Kishte dhe mënyra të tjera që ne mund ta bënim këtë propozim, por ne nuk donim. Kjo është një mënyrë shumë transparente. Janë dy nëpunës civilë të depolitizuar që s’kanë asnjë lidhje me forcën politike. Ju ftoj t’i shqyrtojmë, nëse mund të jenë zëvendësues të vendit vakant”, - është shprehur Patozi. Ndërsa deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, kërkoi që më parë kandidaturat të kontrollohen se mos mbajnë poste në strukturat e Partisë Demokratike. Në fakt ky dyshim për implikimin e këtyre kandidaturave me PD-në vazhdoi të hidhej gjatë gjithë mbledhjes nga deputetët PS-së, ndërsa maxhoranca u përpoq që nëpërmjet forcës së kartonit të kalonte propozimet. Por kjo përpjekje u ndal pasi deputetët opozitarë në komision kërcënuan se do të braktisnin mbledhjen. Në përfundim u vendos që t’i jepet mundësia dhe shoqërisë civile të paraqesë kandidatura për vendin vakant në Këshillin Kombëtar të Radio televizionit.
Vendi vakant
Vendi vakant në KKRT mbeti për shkak të shkarkimit të anëtarit Frano Kulli. Anëtari Frano Kulli u shkarkua me votat e PD-së në Kuvend, pavarësisht kundërshtimit të deputetëve të Partisë Socialiste dhe asaj të Partisë Demokristiane. Deputetët e PD-së pretenduan se Kulli mbante poste drejtuese në strukturat e Partisë Demokristiane në qytetin e Lezhës, gjë që bie në kundërshtim me statusin e anëtarit të KKRT-së. Por kjo u kundërshtua nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili e cilësoi përpjekjen e PD-së si një sulm ndaj kësaj partie dhe si një përpjekje për të kontrolluar institucionet e pavarura.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›