E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ hedh shortin për anëtarin e shtatë të komisioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi dje shortin për caktimin e partisë propozuese të anëtarit të shtatë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. Mbledhja e filluar në mesditë u konkretizua me vendimin që në komisionet zonale me numrin tek, shumicën e merr Partia Socialiste, ndërsa në komisionet me numër çift, këtë të drejtë e ka Partia Demokratike. Konkretisht në Qarkun e Beratit, në dy KZAZ e ka shumicën PS dhe tek dy të tjerat PD; në Qarkun e Dibrës opozitarët kanë shumicën në dy komisione zonale dhe demokratët vetëm në një të tillë. Sa i takon Qarkut të Durrësit, sërish ka një ndarje të barabartë me nga dy KZAZ. I njëjti rregull vjen edhe për Qarkun e Elbasanit ku raporti është tre me tre. Në Qarkun e Fierit nga shtatë KZAZ që janë në total, socialistët do të drejtojnë vetëm tre prej tyre teksa në katër ka shumicën Partia Demokratike. Në Qarkun e Gjirokastrës, nga tre KZAZ që janë në total, socialistët kanë mazhorancën në dy prej tyre. Qarku i Korçës i ka të ndara raportet në mënyrë të barabartë me nga tre KZAZ. Rajoni i Kukësit ka tre KZAZ dhe dy prej tyre do të kenë shumicë të djathtë, ndërsa nga tre KZAZ-të e Lezhës, opozita do të ketë shumicën në dy. Më tutje, në Qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike ka shumicën në tre KZAZ dhe Partia Socialiste në dy të tjera. Tetë me tetë janë ndarë komisionet zonale në Qarkun e Tiranës, ku secila palë ka marrë në gjysmë anëtarin e shtatë. Së fundi, Qarku i Vlorës rezulton të ketë gjashtë KZAZ dhe në tre prej tyre do të kenë shumicën e anëtarëve partitë e majta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›