Spastrime në FSK

Kapiten Izet Aliu nga Dragashi, në mëngjesin e së enjtes, pa vullnetin e tij, dorëzoi uniformen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Bashkë me të, brenda javës, edhe 13 pjesëtarë të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë. Të gjithë këta janë përjashtuar nga kjo forcë.
Përjashtime të tilla ka kohë që vazhdojnë të bëhen në mënyrë të heshtur, kurse atyre që i largojnë, zyrtarët e FSK-së lajmin ua japin një nga një.
Vetëm brenda një viti, nga krijimi i kësaj force, nga ky institucion dyshohet se janë përjashtuar rreth 200 pjesëtarë të saj.
Për muaj të tërë Izeti është përgatitur si pjesëtar i G2 ose i inteligjencës së FSK-së, deri para tri ditësh kur zyrtarisht i thanë se nuk është më pjesë e kësaj force.
“Nuk e di pse. Nëse unë paskam pasur diçka që nuk shkon, pse po i përjashtojnë të tjerët?”- thotë Izeti për Express.
Në bllokun tij të shënimeve ai ka shkruar disa data kur janë larguar edhe para tij pjesëtarë të kësaj force. Izeti shpjegon se spastrimet e tilla kanë filluar kohë më parë.
“Vetëm unë sa di, përjashtime janë bërë më 8 qershor 2009, 23 shtator, 23 nëntor dhe tash më 3 shkurt 2010”, shpjegon ish kapiteni i FSK-së.
Të përjashtuarit janë nga vende dhe rangje të ndryshme, ndërkohë që spastrimi vazhdon të bëhet në kohën kur FSK-ja vazhdon të pranojë kandidatë të rinj.
Përjashtimi i këtyre pjesëtarëve bëhet pasi ata janë pranuar në punë dhe kanë kaluar të gjitha testet e parashikuara për t’u bërë pjesë e FSK-së.
Përveç kësaj, sipas Izet Aliut, çudia në këtë rast është se pjesa dërmuese e të përjashtuarve kanë qenë më parë pjesëtarë të ish TMK-së, e para saj të UÇK-së.
Arsyetimet zyrtare për këto përjashtime janë të njëjta dhe ndryshojnë vetëm emrat e personave, të cilëve u ndërpritet marrëdhënia e punës në FSK.
“Kemi pranuar njoftimin e datës (data) i cili informoi se juve ju është refuzuar certifikata e verifikimit. Në mungesë të suksesit në përfundim të verifikimit, shërbimi juaj në FSK do të ndërpritet dhe ju do të largoheni (shkarkoheni) nga FSK-ja”.
Kjo është fjalia e arsyetimit për përjashtimin e këtyre pjesëtareve nga kjo forcë, nënshkruar nga Gjeneral Sylejman Selimi, komandant i FSK-së.
Por, në asnjë rast, askund nuk shkruan se çfarë është gjetur pas verifikimit të së kaluarës së këtyre kandidatëve.
Zyrtarët e Ministrisë së FSK-së as që i konfirmojnë këto përjashtime, duke thënë se nuk kanë informacione dhe se për diçka të tillë përgjegjësinë ia hedhin KFOR-it.
“Ne nuk kemi përjashtuar askënd. Nuk e kemi këtë informacion. Me këto çështje është i ngarkuar KFOR-i”, thotë Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e FSK-së, për Express.
Por, zyrtarët e trupave të NATO-s në Kosovë janë kategorikë se përgjegjësia për veprime i takon FSK-së dhe ministrisë së saj.
Një nga zyrtarët, përgjegjës për media në KFOR, shpjegon për Express se misioni i tyre në këtë rast është thjesht monitorues dhe puna e tyre është t’i trajnojnë pjesëtarët e saj bazuar në programet e parashikuara.
“Për këtë çështje ju duhet të pyesni në Ministrinë e FSK-së. Ata dinë për këto çështje e jo ne. Nuk duam të spekulojmë se sa janë përjashtuar pasi me këtë punë nuk merremi ne”, thotë zyrtari i KFOR-it.
Derisa zyrtarët nuk pranojnë të japin shpjegime, këta të përjashtuar nuk kanë të drejtë as të ankohen.
“Por, unë do të shkoj te Avokati i Popullit dhe Ambasada britanike se ata kanë bërë verifikimin tonë gjatë marrjes në FSK”, thotë ish kapiten Izeti.
Ai thotë se ka kryer punën e tij me nder dhe është i gatshëm të ballafaqohet edhe me drejtësi dhe se ka raportuar shumë herë me shkrim për ato që ndodhin brenda FSK-së.
“Unë jam i gatshëm për gjithçka të jap përgjegjësi para institucioneve të Kosovës dhe popullit tim. Në FSK ka shumë parregullsi dhe pakënaqësi”, thotë ky i përjashtuar, duke sjellë shembuj.
Sipas tij, në FSK sillen pjesëtarë të minoriteteve, të cilët ka raste që mezi e shkruajnë emrin e vet dhe gradohen, kurse pjesëtarët shqiptarë me fakultete i dërgojnë të shërbejnë në depo.
Të përjashtuarit
Izet Ali tregon se përveç tij, nga grupi i tij të sapo përjashtuar janë edhe 14 pjesëtarët, 8 prej tyre i njeh me emra dhe mbiemra. Ata janë: Major Petrit Hajrizi, Kapiten Daut Xhemajli, rreshterët Fazli Arifi, Driton Kolshi, Agim Gashi, tetari Halil Hoxha, ushtarët Përparim Curri dhe Emrush Lika.