E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuta e taksistëve të Prishtinës

Pak Londër në Prishtinë së shpejti mund të shijohet përmes dhjetëra taksive, model krejt tjetër nga këto që njohim këtu. Të veçanta ato i bën dizajni i tyre, që është i njëjtë me ato që shihen nëpër rrugët e kryeqytetit anglez.

Taksitë e zinj do të mbushin shumë shpejt rrugët e përbaltura të kryeqytetit. Dhjetëra prej tyre tashmë janë të parkuara prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në pritje të licencës për qarkullim. Ato janë sjellë nga Luan Berisha, banor i Londrës për një kohë të gjatë. Ai thotë të jetë pronar i vetëm kompanisë London Taxi.

Nëse ky lajm mund t’i gëzojë ata që preferojnë të përdorin taksitë klasike londineze, për kompanitë e tjera të kryeqytetit sjellja e tyre ka ngjallur shqetësim.

Krahas trazimeve që u ka sjellë gjithë kompanive të taksive, sjellja e taksive të zeza është tentuar të debatohet edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këtë e pohon Shemsi Veseli, shef i grupit parlamentar të PDK’së në KK Prishtinë. Por, sipas tij, kjo çështje është injoruar nga këshilltarët tjerë komunalë.

Si për partitë opozitare në kryeqytet, ashtu edhe për autotaksitë e licencuara, shqetësimi vjen ngase dyshohet se pronar i kompanisë është djali i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Sipas informacioneve që kemi, pas gjithë kësaj qëndron djali i Presidentit të Kosovës, Bardhyl Sejdiu, por i cili kalkulon dhe manipulon me një emër tjetër që e ka regjistruar si pronar të kompanisë”, thotë i bindur Veseli.

Sipas tij, gjithçka është duke u bërë në mënyrë jo transparente.

“Të them të drejtën, që nga fillimi për neve ka qenë shqetësuese, sepse kemi dëgjuar mjaft pakënaqësi. Shqetësim të madh kemi dëgjuar edhe nga vetë pronarët që punojnë me dokumentacion të rregullt si auto-taksi, të cilët i paguajnë të gjitha tatimet komunale”, shton Veseli.

Por, Muhamet Gashi, zyrtar për media në KK të Prishtinës, nuk e di kush është pronar i kësaj kompanie.

“Një kërkesë ka ardhur në komunë me emër të biznesit, mirëpo leja është akoma në shqyrtim. E sa për pronarin ne nuk posedojmë informata të tilla, edhe nuk figuron emri i djalit të presidentit në asnjë dokument. Regjistrimi i biznesit bëhet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, jo në komunë, këtu shqyrtohen vetëm kërkesat”, deklaron Gashi.
Në anën tjetër, Luan Berisha, pronar i taksive të zeza, pohimet se prapa kompanisë së tij qëndron djali i Presidentit i quan shpifje të kulluara.

“Gjithçka mund të vërtetohet në dokumentet e biznesit, të cilat unë i kam nxjerrë. Aty shkruan se vetëm unë jam pronar i kompanisë dhe pronar i taksive. Bardhyl Sejdiu nuk është as ortak i imi”, sqaron Berisha.

Dita se kur do të shfaqen këto makina nëpër rrugët e Prishtinës nuk dihet akoma, mirëpo Berisha tregon se emrin e biznesit e ka rezervuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe po pret përgjigje nga ana e Komunës për të filluar punën.

“Unë akoma po e pres vendimin e Komunës për lejimin e qarkullimit të makinave, të cilat po qëndrojnë të parkuara prapa Pallatit të Rinisë”.

Express nuk ka mundur të kontaktojë me djalin e Presidentit Sejdiu, Bardhyl Sejdiu.
Blerim Vitia, pronar i kompanisë “Victory”, nuk frikësohet nga konkurrenca që erdhi prej Londrës.

“Unë nuk e di se kush është pronar i kësaj kompanisë të re, por sa po flitet pronar është i biri i një politikanit që vepron në Kosovë”, tregon Vitia.

Vitia ka vërejtje edhe në komoditetin që mund të ofrojnë ato.

“Edhe pse makinat janë të bukura për sy, nuk do të thotë që të njëjtën kohë ofrojnë një komoditet për pasagjerin, sepse kjo makinë është një mashtrim për popullatën. Thuhet se është makinë angleze, por në fakt është e prodhuar në Kinë”, shton Vitia.

Sipas tij, nëse shikohet brendia e makinës, atëherë vërehet se ulëset e makinës janë identike si pajtonet e shumë kohëve më parë.

Kurse Berisha, pronari i “London Taxi” deklaron se makinat nuk janë vetëm të bukura për sy, por janë komode, përfshirë edhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Unë e kam edhe eksluzivitetin, sepse kam nënshkruar kontratë edhe me Handikapin për t’i bartur personat me aftësi të kufizime me 30% zbritje”.

Në lidhje me vendin e prodhimit të makinave, Berisha sqaron se marka LTI është e vetmja makinë që prodhohet qind për qind në Angli.

“15 veturat të cilat i kam blerë kanë kushtuar më shumë sepse jam detyruar që t’i kthej timonët në anën e majtë”.

Edhe Gëzim Bariqi, pronar i kompanisë së taksive “Beki”, nuk ankohet për konkurrencën e mundshme, por më shumë tek mosrespektimi i afateve ligjore.

Derisa të gjitha kompanitë në kryeqytet është dashur të aplikojnë për licencë deri më 31 dhjetor 2009, gjë që është bërë nga të gjitha, kompania e re ka bërë kërkesë për licencë tek pas kësaj date.

“Kompania ka bërë kërkesë në mënyrë jo të ligjshme, pas Vitit të Ri, sepse data e vazhdimit të licencës ka qenë 31 dhjetori. Aty është marrë vesh kush e ka vazhduar kontratën ose kush nuk e ka vazhduar atë”, thotë pronari i “Beki”’it, Bariqi.

Sipas Muhamet Gashi, zyrtar i KK për Prishtinë, data e 31 dhjetorit ka qenë vetëm një thirrje për ata që kanë pasur leje të punës e të cilët kanë dashur ta vazhdojnë atë.
“Nuk ka qenë kjo data e fundit për aplikim, sepse nuk ka ndonjë datë të përcaktuar për këtë punë.”

“Komuna vazhdon të ketë kërkesa të shumta, të cilat akoma nuk janë shqyrtuar. Gjatë këtyre ditëve do të rishqyrtohen të gjitha lejet e punës, të cilat kanë ardhur nga shoqata e taksistëve”, shton Gashi.

Sikurse kompanitë tjera të radio taksive, edhe pronari i kompanisë së re Luan Berisha, thotë se akoma është në pritje të përgjigjes për licencë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›