E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spastron ferrat për të ndërtuar, djeg Taraboshin

22/08/2011  Arrestohet 58-vjeçari për shkatërrim të pronës, u shkrumbuan 1 mijë ha tokë

SHKODER- Spastron ferrat për të ndërtuar objekt, më pas i djeg duke i vënë flakën Malit të Taraboshit. Policia e Shkodrës ka prangosur Hil Gjonin duke ngritur akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr”.

Zjarrvënia

Sipas hetimeve të kryera nga blutë shkodranë rezulton se 58 vjeçari Gjoni dyshohet se gjatë punës ne objektin e tij, që kishte nisur të ndërtonte në zonën e Malit Tarabosh, ditën e djeshme, ka pastruar territorin nga disa shkurre e ferra, të cilave më pas u ka vënë zjarrin. Për pasojë ky zjarr është përhapur në pyllin e pishave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqen pyjore të malit e kullotave të Taraboshit, në disa fshatra të braktisura të Komunës Ana Malit.

Zjarri i dy ditëve më parë në zonën e Malit të Taraboshit ka përfshirë 1,000 hektarë tokë, 16 shtëpi të vjetra ta pabanuara dhe antenat e transmetimit të një televizioni lokal dhe një kompanie celulare. Sipas burimeve vendore gjatë ditës së djeshme situata është nën kontroll, por ka ende disa vatra të vogla zjarri të cilat po punohet për t’i shuar tërësisht.

Pukë

Ndërkohë një zjarr i aktivizuar në Pukë ka rrezikuar minierën e Munellës e kampin kanadez. Mësohet se një zjarr i fuqishëm ka përfshirë masivet pyjore të Munellës në Pukë, pasditen e djeshme. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri ka nisur që tre ditë më parë në pyjet e Munellës, ndërkohë që flakët po i afrohen gjithmonë e më shumë edhe për shkak të erës minierës së Munellës, e cila është marrë në mbrojtje nga forcat zjarrfikëse. Ndërkohë forcat zjarrfikëse po tentojnë të mbrojnë edhe kampin kanadez, i cili ndodhet pranë vatrës së zjarrit. Terreni i vështirë pengon automjetet zjarrfikëse që të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që efektivet zjarrfikës po bëjnë përpjekje për lokalizimin dhe izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarrfikësit kanë krijuar ‘diga’, për t bërë të penguar përhapjen edhe më tej të flakëve të zjarrit, ndërkohë që mësohet se janë djegur 10 hektarë pisha në Munellë. Shuarja e flakëve po vështirësohet edhe si pasoje e erës së fortë që favorizon përhapjen e vatrës së zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›