E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret shkrumbojnë kodrat me pisha, kullota dhe ullishte

23/08/2011  Izolohen flakët, dëmi shumë i madh

BERAT- Një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar gjatë ditës së djeshme në fshatin Sinjë në rrethin e Beratit, ku sipërfaqe të tëra me shkurre e kullota janë shkrumbuar nga flakët, ndërkohë që dhe raste të tjera zjarri janë regjistruar gjatë mesditës së djeshme në kodrat me pisha kodrat rreth në qytetit si dhe disa fshatra në toka me ullishte e shkurre. Rasti i zjarrit të parë u shfaq rreth orës 10:00 të paradites së djeshme në kodrat e fshatit Sinjë, në komunën me të njëjtën emër 16 km në jug të qytetit të Beratit. Kanë qenë banorët e fshatit, ata të cilët sapo kanë parë shfaqjen e flakëve të zjarrit janë drejtuar për ta fikur, ndërsa mësohet se kanë kërkuar ndihmën e sektorit të zjarrfikëses për shuarjen e tij. Mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në fshatin e largët Sinjë, ku kanë konstatuar se flakët e zjarrit kishin pushtuar kodrat me kullota e shkurre. Zjarri i përmasave të mëdha ndihmuar dhe nga temperaturat e larta dhe era ka bërë që flakët të përparojnë me shpejtësi duke djegur krejtësisht kodrat me shkurre të kësaj zone. Janë dashur me tepër se dy orë punë për punonjësit zjarrfikës, të cilët kanë arritur të lokalizojnë flakët e zjarrit duke mos lejuar përhapjen e tyre në tokat bujqësore të banorëve të zonës dhe banesat pranë si dhe në pyllin me lisa. Por, rastet e rënies së zjarreve nuk kanë përfunduar me kaq në rrethin e Beratit, vetëm brenda dy orësh janë regjistruar raste të ngjashme të rënies së zjarreve në kodrat me pisha në qytetin e Beratit si dhe në fshatrat Lapardha e Tërpan. Vlen të përmendet se forcat zjarrfikëse nuk kanë ndaluar asnjë minutë për të pushuar pasi puna e tyre për të shuar zjarret ka vijuar nga njëri fshat në tjetrin për fikjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›