E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/ Rruga qe lidh Palasën me aksin kombëtar do t'i japë vlerë të re pasurive të fshatit

Palasa, rreth 50 kilometra në jug të qytetit të Vlorës, është fshati i parë i bregdetit të Himarës që shfaqet sapo kalon Qafën e Llogarasë. Ajo është ndërtuar në një shpat mali, 600 metra mbi nivelin e detit dhe përbëhet nga rreth 250-300 shtëpi.
Duke përshkruar bukuritë e këtij fshati, një shkrimtar ka thënë se këtu "deti bashkohet me malin". Palasa është dhe një lloj ballkoni për krejt zonën e bregdetit të Himarës, për shkak të pozicionit të saj gjeografik.
Një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati jetojnë e punojnë në emigracion, në Greqi, ndërsa në periudhën e pushimeve të verës, kthehen në vendlindje. Por, mjaft prej tyre tani kanë nisur t’i kthejnë sytë nga fshati edhe në muajt e tjerë dhe jo thjesht për kohën e verës. Kjo, për shkak të pasurive të shumta që ofron Palasa - nga ullinjtë dhe masivet me pemishte, deri te bregu i detit.
Tani banorët kanë nisur të investojnë në fushën e turizmit, duke ndërtuar vila e hotele, të cilat jepen me qera për pushuesit e shumtë që vijnë gjatë verës. Në vitet e fundit janë ndërtuar me dhjetra objekte të tilla, me një arkitekturë moderne dhe tashmë Palasa ka nisur të konkurojë Dhërmiun në fushën e turizmit. Pozicioni i saj dhe pamja piktoreske, ajri i pastër e gjelbërimi gjithëvjetor, e kanë bërë atë një vend gjithnjë e më të preferuar, për pushuesit vendas dhe turistët e huaj.
Këto të gjitha kanë shtruar nevojën e përmirësimit të lidhjeve të Palasës me pjesën tjetër të zonës. Segmenti rreth 1.5 kilometra që bashkon fshatin me rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë, aktualisht mjaft i ngushtë dhe i amortizuar, me shumë gropa që e bëjnë një ferr të vërtetë udhëtimin deri në qendër të fshatit, ka nisur të ndërtohet dhe pritet të përfundojë brenda pak muajsh. Fillimi i punimeve u përurua pak muaj më parë, gjatë një ceremonie ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri, Sali Berisha. Është një investim prej rreth 28 milionë lekësh (pa vlerën e TVSH-së), që do të ndryshojë tërësisht gjendjen e kësaj rruge.
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, thotë se projekti i rrugës, që financohet nga Qeveria shqiptare, Bashkimi Europian dhe Banka Botërore, parashikon zgjerimin e saj me 3.5-4 metra, sistemim-asfaltimin dhe pajisjen me ndriçim. Projekti parashikon dhe elementet mbrojtëse buzë rrugës dhe elementë të tjerë inxhinierikë. Deri tani është kryer më se 40 për qind e vëllimit të punimeve, janë ndërtuar elementet mbrojtëse dhe bordurat anësore në më shumë se gjysmën e gjatësisë së saj.
Kiço Paço, një nga banorët e zonës, thotë se ndërtimi i rrugës së fshatit është investimi më i rëndësishëm i realizuar këtu pas viteve ’90.
"Rruga e re do të krijojë një mundësi më të mirë komunikimi, veçanërisht për sezonin e verës, kur pushuesit këtu janë të shumtë", thotë 55 vjeçari. Ndërsa Kiço Gjergji, një tjetër banor i fshatit, shprehet se rruga e re do të lehtësojë transportin e ullinjve për në fabrikat e përpunimit dhe prodhimit të vajit në Dhërmi, Himarë e gjetkë.
Disa dhjetra banorë të fshatit merren tani me vjeljen e ullinjve, që i çojnë më pas në Dhërmi, Himarë, apo Vlorë, ku ndodhen fabrikat e përpunimit. Trifon Babe, është njëri prej tyre. Ai punon gjithë ditën. Të hënën ai kishte grumbulluar disa kuintalë ullinj kokërr, të cilat do t'i çojë për t’i përpunuar në fabrikën e Dhërmiut. Ai thotë se me ndërtimin e rrugës kjo punë do të jetë më e lehtë.
Por Trifoni thotë se edhe vilat dhe hotelet e bukura që janë ndërtuar në Palasë do të përfitojnë nga kjo rrugë që do të ndihmojë pushuesit në verë të zbresin çdo ditë drejt Dhërmiut apo Himarës, për të bërë plazh.
"Kur mungon rruga ose ajo nuk është për të qenë, ata mërziten shpejt dhe kështu largohen në zona të tjera. Edhe ne, të na rrojnë këto ndërtime pastaj", shprehet ai.
Kështu mendojnë edhe mjaft banorë të tjerë të fshatit, si Petroja, që ka ndërtuar një hotel të bukur tre katësh në anë të rrugës kur ngjitesh për në fshat. Deri tani, gjatë verës ai është detyruar të dëgjojë ankesat e klientëve të tij, sa herë kthehen nga plazhi me makinat e tyre në rrugën e ngushtë e me gropa.
Palasa dhe banorët e saj tani po përjetojnë një periudhë të vërtetë transformimi. Rruga e standardeve bashkëkohore, një nga elementët kryesorë të këtij procesi, po u jep vlerën e plotë pasurive të fshatit, të cilat tashmë kanë nisur t'i shfrytëzojnë shumë nga banorët, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›