E Diel, 1 Nëntor 2026

Si gjithnjë, qendra e Tiranës vijon të ketë një strukturë urbane të papërfunduar

Megjithë ndryshimet e shumta në qytetin e Tiranës, me shtrirjen me popullimin tej mase pas viteve 90', qendra e Tiranës, sheshi ''Skënderbej'' ka mbetur pezull, me një hapësirë të mbarsur me probleme estetike, dhe të një kaosi trafiku, ku vetëm për një qendër të një metropoli të denjë europian siç shpesh reklamohet nuk ngjan! Dhe shqetësimi është shumë i ligjshëm për të gjithë banorët e Tiranës, sepse ka kohë që të gjithë presin një qendër dhe peizazh me vlera urbane, por mesa duket shpesh herë i ka munguar një vizion i qartë urbanistik. Bashkia e Tiranës ka lajmëruar që në fillim të muajit nëntor që do të nisin punimet për qendrën me një vlerë prej 10 milionë eurosh, ku gjysma e buxhetit për këtë projekt do të financohej nga qeveria kuvajtiane, por deri tani , projektet kanë mbetur veç në letër . Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, '' Projekti për rehabilitimin e qendrës ka stopuar , sepse ka sipërfaqe tokash në afërsi të Muzeut Kombetar që janë private, dhe deri në momentin që ato të kompensohen nga organet përkatëse të kthimit dhe kompensimit të pronave, projekti do të mbesë pezull''. Për rehabilitimin e qendrës, është aprovuar plani francez i fituar në konkursin ndërkombëtar në vitin 2004 nga francezja Architecture Studio. Ndërkohë vetëm për sheshin "Skënderbej" është hartuar nga një studio belge, "51N4E", plani urbanistik, i shpallur me çmim të parë në konkursin ndërkombëtar, i mbyllur në prill të vitit 2008 nga Bashkia e Tiranës, e cila pritet të aprovohet nga KRRTRSH. Me Projektin francez, qendra do të ndërtohej sipas një master- plani të përgjithshëm francez që ruante traditën, respektonte realitetin, ku e reja do të bashkëjetonte me traditën, ruante dhe nuk e prekte hapësirën krenare të qytetit, bulevardin e madh të arkitektit italian, Brazini. Sipas këtij plani, sheshi do t’i dhurohej qytetarëve, lëvizja do të ishte vetëm këmbësore, prandaj sheshi "Skënderbej" do të ishte një kopsht i vogël me sheshe mermeri, me lule, drunj dekorativë, shatërvane dhe pasqyra ujore, ku qytetari , të lëvizte i sigurt, të kënaqej me hapësirën dhe arkitekturën e godinave larg makinave, larg zhurmës, larg pluhurit. Do të formohej një hapësirë tejet humane, e menduar sipas principeve të dizajnit urban bashkëkohor. Pavarësisht këtyre projekteve, që nuk po gjejnë zbatim sheshi ' Skënderbej", nuk gjen qetësi duke mbarsur në vetvete shumë konflikte hapësinore , estetike, utilitare dhe shumë shqetësime njerëzore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›