Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndet Konferencën Kombëtare "Kundër dhunës në familje"

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi sot se "dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si një çështje private, por duhet të përfshijë shtetin, shoqërinë civile dhe çdo aktor që mund të japë një kontribut sado të vogël për reduktimin e saj".
Kryetarja Topalli mori pjesë sot në punimet e Konferencës Kombëtare me temë "Për një familje dhe shoqëri të barabartë dhe pa dhunë", e cila u organizua në ambientet e Hotel Tirana International, nën kujdesin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Duke e konsideruar këtë si një temë shumë të rëndësishme, Kryetarja Topalli vuri në dukje se edhe në takimet e shumta që ka zhvilluar me gratë e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë gjithmonë ka besuar se "dhuna e ushtruar ndaj grave, dhuna në familje vjen para së gjithash për shkak të mosbarazisë që ekziston mes dy gjinive".
"Kjo nuk është një dukuri që shfaqet vetëm këtu në Shqipëri, por është një dukuri që nuk ka kufij gjeografikë. Kjo dukuri shfaqet edhe në kryeqytetet më kozmopolite, ashtu siç shfaqet edhe në fshatrat më të humbur të kësaj bote. Ajo shfaqet në shtresa të ndryshme të shoqërisë, pasi kemi gra që dhunohen edhe pse janë të diplomuara e të doktoruara, ashtu siç kemi edhe nëna të thjeshta në familje të tjera që dhunohen", u shpreh Kryetarja e Kuvendit Topalli.
Në këtë kuadër, ajo u shpreh se "dhuna ndaj grave është një çështje që ka të bëjë me mosnjohjen e së drejtës, është një çështje e mungesës së barazisë, të cilës ne duhet t'i qëndrojmë fort".
Këshilli i Europës, tha Kryetarja Topalli "ka qenë një nga promotorrët kryesorë të luftës kundër dhunës në familje, ashtu sikurse edhe OKB ka qenë një avokat i fuqishëm nëpërmjet të gjitha aktiviteteve që ka ndërmarrë kundër dhunës në familje apo dhunës kundër grave".
Në zbatim të Konventave ndërkombëtare, Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se edhe në Shqipëri është miratuar një ligj kundër dhunës në familje. Por, sipas saj "të gjitha konventat, ligjet apo aktet nënligjore do të mbeteshin thjesht disa copëza letre, nëse nuk do të punohej në një partneritet të ngushtë për zbatimine tyre".
Duke vlerësuar organizimin e kësaj konference me pjesëmarrjen e aktorëve nga të gjitha fushat, Kryetarja Topalli tërhoqi vëmendjen për mungesën e përfaqësuesve të pushtetit lokal, i cili sipas saj ka një rol të rëndësishëm në këtë proces.
"Vetëm juristët në fillimet e karrierës së tyre mund të mendojnë se dhuna në familje është një çështje që lidhet vetëm me procedurat ligjore. Asnjëherë nuk duhet ta marrim kaq thjesht këtë çështje, pasi ajo kërkon një partneritet të madh që duhet të përfshijë gjithë shoqërinë tonë dhe të gjithë aktorët e saj, ashtu sikurse edhe shtetin. Vetëm një koordinim i mirë në këtë drejtim do të bënte të mundur që kjo çështje të trajtohej si çështje themelore dhe prioritare", u shpreh Kryetarja Topalli.
Sipas saj "një shoqëri që pretendon të ecë përpara në vokacionet e saj perëndimore duhet të luftojë me vendosmëri dhunën në familje, e cila të dhemb më shumë kur ushtrohet ndaj fëmijëve."
"Kjo ndodh për shkak të kushteve ekonomike, mentalitetit dhe mos angazhimit të shoqërisë. Fëmijët nuk janë 'minipersona' me 'mini' të drejta. Është shumë e rëndësishme që ne të flasim për ata që heshtin, të bëjmë të dukshme ata që fshihen mbas mureve të shtëpisë", tha Kryetarja e Kuvendit.
Gjithashtu ajo kërkoi që "të mos pranohen kurrë në politikë dhe të mos u jepet asnjëherë pushtet atyre burrave që kanë dhunuar gratë e tyre".