E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Sali Berisha sekser i Damir Fazllic

Ne diten kunder korrupsionit, kreu i PS Rama akuzoi kryeministrin se ka zhgënjyer shqiptarët per luften kunder korrupsionit. Rama akuzoi Berishën se korrupsioni e ka kthyer ate në sekser të biznesmenit më të përfolur në Ballkan për korrupsion, Damir Fazllic 

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar ashpër sot kryeministrin Sali Berisha si sekser të biznesmenit të përfolur për afera korruptive në Ballkan, Damir Fazllic. Sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Rama doli sot në mesditë në një konferencë për shtyp në selinë e PS ku bërë të ditur bashkëpunimin korruptiv Berisha-Fazllic dhe një sërë faktesh të tjera që sipas tij njehësojnë qeverinë me fenomenin negativ në vend. Kreu i PS shtoi se “shqiptarët që votuan për qeverinë me duar të pastra kërkojnë drejtësi për shkeljet ligjore të kryeministrit të tyre”.
”Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit e kuptojnë më qartë se asnjëherë që qeveria është njehsuar me korrupsionin”.

”Drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh me një sekser serb që ka kthyer në sekser të tijin kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda 3 vjetësh ka bërë në Shqipërinë tonë 50 milionë euro pa pasur asnjë aktivitet tjetër përvec bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa”, tha Rama në konferencën për shtyp.

Për kryesocialistin, shqiptarët janë koshientë se kryeministri u shpërdoroi besimin dhe nuk mund t’i shpëtojë dot nga korrupsioni. “Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për t'i dhënë Sali Berishës shansin që t'i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit e ndjejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë”, deklaroi mes të tjerash Rama.
Në emër të shqiptarëve, kreu i socialistëve në ditën kundër korrupsionit kërkoi drejtësi për viktimat e Gërdecit, fondet e grabitura për Durrës-Kukës, për pronat që sipas PS, grabiten përditë në agjenci e zyra shtetërore, në sajë të vullkanit të korrupsionit të përgatitur nga qeveria.
Për socialistët, korrupsioni është shtrirë dhe po masakron edhe pyjet, lumenjtë, tokën e bukës, ullishtet e plazhet e Shqipërisë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›