E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon puna pë përgatitjen e një projektligji të ri për standartizimin e auditimit të llogarive të shoqërive tregtare

Ministrat Bode e Ruli theksojnë si të domosdoshëm funksionimin e p/ligjit "Për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar" Ministri i Financave Rivan Bode gjatë një takimi me ekspertë të ekonomisë prezantoi të enjten në Tiranë p/ligjin "Për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar". I pranishëm gjatë prezantimi të këtij p/ligji ishte edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Sipas ministrit Bode, hartimi i këtij p/ligji bëhet në vazhdim të reformave institucionale që po ndjek qeveria në kuadrin e zbatimit të hapave strategjikë të marrëveshjes së stabilizim-asociimit, me qëllim standartizimin e auditit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por edhe mbi mbikqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. "Këto profesione bëhen akoma më imediate si për kushtet aktuale të ekonomisë botërore, ashtu edhe për shkak të një boshllëku ligjor në të cilin gjendemi pas miratimit të ligjit të ri "për shoqëritë tregtare", u shpreh kreu i Financave publike. Për hartimin e këtij p/ligji janë marrë parasysh rekomandimet dhe standartet e Bashkimit Evropian, si dhe përvoja e deritanishme e organizimit të profesioneve të ekspertëve kontabël e kontabilistëve të miratuar. "Hartimi korrekt dhe publikimi i pasqyrave financiare të kompanive është në radhë të parë në interes të vetë drejtuesve e pronarëve të tyre për marrjen e vendimeve të drejta për zhvillimin e kompanisë për mënyrën e investimit të burimeve, për politikat kredimarrëse si dhe orientimet në treg", nënvizoi Bode. Më tej ai shtoi se pasqyrat financiare transparente e të standartizuara janë të domosdoshme edhe për interesa të tjera publike, si për mbrojtjen e kreditorëve, për uljen e informalitetit në ekonomi, për shmangjen e evazionit fiskal ashtu edhe për krijimin e kushteve për një konkurencë të ndershme. Ndërsa për ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, forcimi i mbikqyrjes publike si në fazën e përgatitjes e çertifikimit të ekspertëve kontabël e të kontabilistëve të miratuar, ashtu edhe gjatë ushtrimit të profesionit përbën edhe aspektin kryesor të p/ligjit. "Për këtë qëllim është parashikuar një mbikqyrje e rreptë për sigurinë e cilësinë e auditimeve si nga Bordi i Mbikqyrjes ashtu edhe vetë organizata profesionale me qëllim shmangien e auditimeve formale.", theksoi Ruli.


Fjala e plotë e ministrit Bode


 


Të nderuar pjesëmarrës!


Jemi mbledhur sot për të promovuar projektligjin "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të Ekspertit Kontabël dhe të Kontabilistit të Miratuar". Duke ju përshëndetur dhe duke ju falënderuar për pjesëmarrjen do t’ju ftoja të gjithëve që në procesin e diskutimit dhe miratimit publik të këtij projektligji të mund të jrni aktiv dhe të mund të kontribuoni në përmirësimin e mëtejshëm të projektit të paraqitur nga grupi i punës i ngritur rreth tre muaj më parë për këtë qëllim.


Hartimi dhe miratimi i ligjit "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të Ekspertit Kontabël dhe të Kontabilistit të Miratuar" përbën një hallkë të rëndësishme në vazhdën e reformave institucionale që po ndjek dhe zhvillon qeveria, në kuadrin e hapjes dhe zbatimit strategjik të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me qëllim institucionalizimin, rregullimin dhe standartizimin e auditimit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por dhe rregullimet e nevojshme ligjore për organizimin dhe mbikëqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve, si profesione publike me interes në rradhë të parë publik, por edhe për kompanitë e biznesit. Këto rregullime bëhen akoma më domosdoshme, si për kushtet aktuale të ekonomisë botërore ashtu edhe për shkak të një boshllëku ligjor në të cilin gjendemi, pas miratimit të ligjit të ri "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare".


Në hartimin e këtij projektligji janë patur parasysh:



-


-


Rekomandimet e Bashkimit Europian, Direktiva e tetë "Mbi Auditimin Ligjor të Llogarive Vjetore dhe të Llogarive të Konsoliduara",Rekomandimet e dhëna nga REPARIS (Rruga për në Europë: Programi i reformës së kontabilitetit dhe forcimi institucional),

-


Rekomandimet e ROSC (Raporti i vëzhgimit të standarteve e kodeve)

-


Progres raporti i fundit BE

-


Standartet ndërkombëtare të auditimit

-


Standartet ndërkombëtare të kontabilitetit e të raportimit financiar

-


Përvoja e deritanishme e organizimit të profesioneve të ekspertëve kontabël e të kontabilistëve të miratuar

-


Forcimi i mbikëqyrjes publike, si në fazën e përgatitjes e certifikimit të eksperteve kontabël e të kontabilistëve të miratuar, ashtu dhe gjatë ushtrimit të profesionit. Kjo është një kërkesë e domosdoshme, e sanksionuar ne Direktivën 8 te Komunitetit Europian dhe e rekomanduar edhe nga ROSC-u. Për këtë qëllim është parashikuar krijimi e funksionimi i Bordit të Mbikqyrës, si autoritet i pavarur, i përbërë nga persona të kualifikuar të fushës së kontabilitetit e auditimit që nuk e ushtrojnë profesionin, por edhe me një pakicë me persona që e ushtrojnë atë.

-


Janë parashikuar autoritetet e certifikimit e të regjistrimit, për të dy profesionet, si autoritete që funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe që janë përgjegjës për testimin e njohurive teorike lidhur me profesionet e audituesit e kontabilistit dhe për miratimin e tyre për tu regjistruar në regjistrat përkatës publikë.

-


Janë vënë kufizime në moshë për hyrjen dhe daljen nga profesioni i audituesit duke synuar, që në këtë profesion të përzgjidhen persona me moshë vitale dhe të pjekur.

-


Është parashikuar organizimi në një organizatë të vetme për profesionin e ekspertit kontabël dhe në disa organizata për kontabilistët e miratuar

-


Është parashikuar që trajnimet mund ti realizojnë organizatat profesionale ose universitetet, nën mbikqyrjen e organizatave e të bordit mbikëqyrës.

-


Është parashikuar shtrirja e detyrimit për auditim ligjor të llogarive, duke synuar që detyrimin për auditim ligjor ta kenë të gjitha shoqëritë tregtare që zbatojnë standartet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe një kategori e shoqërive që zbatojnë standartet kombëtare të kontabilitetit, por që tejkalojnë kufij të caktuar të aktiveve, xhiros ose numrit të të punësuarve.

-


Është parashikuar një mbikqyrje e rreptë për sigurinë e cilësinë e auditimeve, si nga ana e Bordit Mbikqyrës, ashtu dhe nga vetë organizata profesionale, me qëllim shmangien e auditimeve formale dhe jo sipas standarteve ndërkombëtare të auditimit, parashikuar si të detyrueshme në këtë projekt.

-


Janë parashikuar rastet e konfliktit të interesit në ushtrimin e profesionit të audituesit, me qëllim ruajtjen e pavarësisë dhe paanësisë së audituesit.

Unë jam i bindur dhe besoj se me kontributin tuaj ky projekt mund të përmirësohet me tej.


Duke ju falenderuar dhe një herë për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim pune, mirëpres çdo koment, vërejtje apo sugjerim dhe ju siguroj se Ministria e Financave dhe qeveria do të japë çdo mbështetje për zhvillimin e forcimin e kontabilitetit e të auditimit dhe për zhvillimin e konsolidimin e profesioneve të audituesve e kontabilistëve.



Në fushën e kontabilitetit e te raportimit financiar, me ligj ne kemi parashikuar zbatimin e standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit, për një kategori të caktuar sipërmarrjesh tregtare, të cilat janë përkthyer e publikuar. Gjithashtu kemi përpunuar e shpallur për zbatim edhe standartet kombëtare të kontabilitetit, të cilat janë vënë në zbatim nga 1 janari 2008. E rëndësishme është që këto standarte të jenë të kuptuara qartë nga drejtuesit e sipërmarrjeve dhe profesionistët kontabël që realizojnë shërbimin kontabël për këto sipërmarrje. Për këtë qëllim është i nevojshëm trajnimi i vazhdueshëm i profesionistëve kontabël dhe pasurimi i mëtejshëm e kurrikulave të universiteteve në fushën e kontabilitetit e auditimit.


Hartimi korrekt e me transparencë dhe publikimi i pasqyrave financiare të kompanive, është në radhë të parë në interes të vetë drejtuesve e pronarëve të tyre, për marrjen e vendimeve të drejta për zhvillimin e kompanisë, për mënyrën e investimit të burimeve, për politikat kredimarrëse, për orientimet në treg. Por pasqyrat financiare transparente e të standartizuara, janë të domosdoshme dhe për interesa të tjera publike, si për mbrojtjen e kreditorëve, për uljen e informalitetit në ekonomi, për shmangien e evazionit fiskal, për krijimin e kushteve për një konkurencë të ndershme. Besoj se një rol të rëndësishëm për hartimin dhe publikimin e pasqyrave financiare korrekte e transparente kanë profesionistët kontabël, që angazhohen në mbajtjen e kontabilitetit e përgatitjen e pasqyrave financiare dhe Ekspertët Kontabël, të cilët kanë misionin publik për verifikimin ligjor të këtyre pasqyrave.


Duke patur parasysh rolin e Ekspertëve Kontabël dhe të Kontabilistëve të Miratuar dhe rëndësinë e domosdoshmërinë e auditimit ligjor të llogarive e të shërbimit kontabël në shoqëritë tregtare, për të cilën kam bindjen se ju e keni në konsideratë këtë, dua të ndalem në disa momente kryesore, që bëjnë të domosdoshme rregullimet ligjore dhe që përshkojnë frymën e këtij projekti, si:

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›