E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialët zbulojnë 23.5 kg heroinë, kapet 60-vjeçari

 

MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI

Zbulohen 23.5 kilogramë heroinë në një banesë në Mamurras, arrestohet kryefamiljari 60-vjeçar. Ka qenë një informacion i siguruar në rrugë operative që çoi agjentët e antidrogës në verifikimin e plotë të këtij sinjalizimi dhe arrestimin në kushtet e flagrancës të Hamit Doçit. Operacioni për prangosjen e Doçit u krye rreth orës 2 të mëngjesit të së dielës. Blutë ndërhynë në momentin final, pasi disa orë më vonë 60-vjeçari do ta transportonte mallin me qëllim trafikun e saj në tregun e huaj. Për arrestimin e tij zbarkuan në Kurbin edhe forcat speciale si dhe ato të RENEA-s. Sipas burimeve, ata mbërritën në Mamurras dy ditë më parë duke qëndruar në gatishmëri për të ndërhyrë në momentin që të merrnin urdhrat e eprorëve të tyre. Policia, e mbuluar edhe nga specialët rrethuan banesën e Hamit Doçit, duke mos i lënë atij mundësi largimi. Pas mesnatës, ata trokitën në banesën e tij në lagjen “Demokracia”, që ndodhet pranë stacionit të trenit. Prania e forcave të shumta të policisë ka lënë të shtangur trafikantin e heroinës, i cili prej ditësh kishte qenë në survejim me të gjithë lëvizjet që kryente. Në prezencë të tij, policia gjeti në dhomën ku ai flinte edhe sasinë e drogës prej 23.5 kg, e dyshuar si heroinë. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, policia kishte disa ditë që e mbante 60-vjeçarin së bashku me djalin e tij në survejim. Gjithashtu, i arrestuari, me vendim gjykate është ndjekur gjatë këtyre ditëve edhe me metoda të tjera speciale të hetimit. “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe e sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë tip “Bereta”, një armë gjahu po e tipit “Bereta”, respektivisht me nga 4 dhe 20 fishekë” bëri të ditur policia e shtetit. Pas zbulimit të heroinës, policia e transportoi drejt Tiranës të arrestuarin. Ai pritet që të zbardhë gjithë skemën e këtij trafiku. Dyshohet se droga është trafikuar nga Kosova dhe kishte destinacion përfundimtar Italinë. Gjithsesi, skema e trafikut dhe personat e tjerë të implikuar në të do të zbardhen në vijim. Policia nuk përjashton as arrestimin e personave të tjerë, të cilët do të rezultojnë si pjesë e këtij rrjeti të trafikut të narkotikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›