Në pranga dy persona të kërkuar
KURBIN – Dy persona të kërkuar u arrestuan dje në Kurbin, falë një operacioni të suksesshëm të këtij komisariati dhe drejtorisë së policisë së Lezhës. Njëri prej tyre, Mëhill Ndreca, 39 vjeç ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie, pasi Krimet e Rënda e kishin identifikuar si pjesëtar të një grupi kriminal, që merrej kryesisht me vjedhje makinash. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se Ndreca është kapur në një lokal, pranë ish-repartit të FNSH–së së Kurbinit, në dalje të fshatit të tij. Ai kishte mbi dy vite që i fshihej policisë së Kurbinit, e cila kishte mundur të arrestonte bashkëpunëtorët e tij, por jo Ndrecën. Po dje, është arrestuar në Kurbin 41-vjeçari Arben Duka. Gjykata e Lezhës kishte dhënë për të masën e arrestit me burg pa afat, për veprat penale të heqjes së lirisë së tjetrit, kanosjes me armë dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas policisë, në bashkëpunim me dy të tjerë disa muaj më parë mbajti peng pasagjerët e një furgoni me qëllim grabitjen. r.n