E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistem pikëzimi për të përzgjedhur përfituesit e banesave sociale

Laureta Rryçi

Përzgjedhja e përfituesve për t’u trajtuar me banesa sociale këtë vit do të bëhet sipas sistemit të pikëzimit. Për të qenë një nga të përzgjedhurit më parë duhet të bëni përllogaritje se në cilën kategori përfshiheni në këtë sistem. Gazeta “Albania” sjell të plotë këtë sistem të ri, i cili do të jetë i aplikueshëm në tetë bashkitë më të mëdha të vendit ku dhe po zbatohet projekti për banesat sociale. Burime nga Enti Kombëtar i Banesave bën të ditur se ky projekt do të vijojë deri në dhjetor të këtij viti. Për shkak se projekti përfundon në 2010-n, nuk dihet ende se çdo do të ndodhë në vitet në vijim.
Sistemi
Sistemi i pikëzimit u jep avantazh për përzgjedhje të gjithë atyre qytetarëve që jetojnë në shtëpi private me qira ose ndajnë shtëpinë me një numër të madh pjesëtarësh të familjes me një sipërfaqe të banuar nën normat e strehimit. Me të njëjtat përparësi janë edhe ata që jetojnë në shtëpi private me qira ose ndajnë shtëpinë me një numër të madh pjesëtarësh të familjes ku banesa ka kushte jo të mira sanitare ose rrezikon shembjen. Përparësi do t’u jepen edhe individëve me aftësi të kufizuara, që kanë statusin e personit të verbër dhe që i përkasin grupit të parë, invalidët si për shembull paraplegjikët, invalidët e punës ose ata të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kategori përfshihen edhe individët me statusin e jetimit, nga momenti që ata braktisin jetimoren ose qendrat e kujdesit deri në moshën 30 vjeç.
Bashkitë
Për menaxhimin e programeve të strehimit bashkitë kanë për detyrë që të identifikojnë nevojat për strehim sipas programeve të hartuara për popullsinë në juridiksionin territorial të tyre. Banesat me kosto të ulët ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit, me fondet e bashkisë dhe nga donacionet private. Çmimi i shitjes së banesave me kosto të ulët përcaktohet në bazë të vlerës së objektit që ndërtohet. Vlera e objektit përcaktohet në bazë të kostos së ndërtimit të banesës, çmimit të tokës, kostos së infrastrukturës, vlerës së projektit dhe shpenzimeve për administrimin e procesit dhe të shpërndarjes. Familjet që klasifikohen për t'u trajtuar me banesa me kosto të ulët janë:
familjet që në çastin e paraqitjes së kërkesës pranë zyrës përkatëse të bashkisë nuk kanë në pronësi një banesë; familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; familjet që kanë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar në ligjin për banesat sociale. Administrimi i kërkesave për këto banesa bëhet nga zyrat përkatëse të bashkive.

Sistemi i pikëzimit për përzgjedhjen e përfituesve

KRITERET SHKALLA E KLASIFIKIMIT
1 Jetoni në shtëpi private me qira ose ndani shtëpinë me një numër të madh pjesëtarësh të familjes me një sipërfaqe të banuar nën normat e strehimit të përcaktuara më poshtë 0/20
2 Jetoni në shtëpi private me qira ose ndani shtëpinë me një numër të madh pjesëtarësh të familjes ku banesa ka kushte jo të mira sanitare ose rrezikon shembjen 0/10
3 Familjet me nevoja të veçanta në një prej kategorive të mëposhtme*:
• Persona të moshuar në moshë pensioni dhe që nuk mund të përzgjidhen për të përfituar strehim nga institucionet sociale të kujdesit publik
• Individët me aftësi të kufizuara, që kanë statusin e personit të verbër dhe që i përkasin grupit të parë, invalidët si për shembull paraplegjikët, invalidët e punës ose ata të Luftës së Dytë Botërore
• Individët me statusin e jetimit, nga momenti që ata braktisin jetimoren ose qendrat e kujdesit deri në moshën 30 vjeç 0/20
4 Familjet me vështirësi ekonomike në një prej kategorive të mëposhtme*:
• Familjet me një prind të vetëm me fëmijë në ngarkim ku kryefamiljari është i/e ve ose i/e divorcuar.
• Familjet me më shumë se katër fëmijë 0/10
5 Familjet e përshtatshme për ndihmë me strehimin në një prej kategorive të mëposhtme*:
• Familjet e reja me një moshë totale deri në 55 vjeç
• Familjet që kanë ndryshuar vendbanimin e tyre për qëllime punësimi
• Kritere të tjera prioritare të përcaktuara nga bashkia 0/10
6 Familjet që përmbushin kërkesat e ligjit për Programet Sociale të Strehimit me të ardhura vjetore neto në kategoritë e mëposhtme: (për t'u përcaktuar për çdo bashki)**

Kategoria nr. 1 e të ardhurave
Kategoria nr. 2 e të ardhurave
Kategoria nr. 3 e të ardhurave 1/30

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›