Specialistët janë shumë më mirë, por duhet të kenë guxim publik
Në disa paragrafë, opinioni me titull, “Debate profesionistësh apo profesionistë debati”, është i drejtë. Por, nuk jam dakord me mllefin që tregon autori ndaj analistëve. Nëse dikush nuk i ka qejf, thjesht duhet të ndërrojë kanalin televiziv ose gazetën.
Ardhja e specialistëve para publikut është diçka e mirë. Madje, shumë e mirë do thosha. Dhe vërtet ekspertët apo specialistët e një fushe, do ishin shumë më të dobishëm se analistët që flasin për gjithçka përciptas. Por, e keqja tek ne, është që specialistët apo ekspertët, ose janë të punësuar nëpër administratë dhe aty bëjnë zakonin e vjedhjes, ose thjesht heshtin nga frika e politikës, ose nuk janë më në Shqipëri, por kanë emigruar.
Specialistët s'do t'i sjellë njeri me detyrim para publikut. Le të bëhen qytetarë të guximshëm dhe t’ua përplasin në fytyrë politikanëve idiotësitë që bëjnë. Nuk ka media që do t’u bëjë censurë. Edhe sikur të ketë një, le të shkojë tek tjetra. Shyqyr, media kemi shumë.