E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specializimet e Mjekësisë, miratohen 161 kuota shtesë

SHKRUAN: Jonida Tashi 20-01-2011 11:39

Zbardhet shpërndarja e 446 kuotave sipas 35 specialiteteve të ndryshme

Miratohen 161 kuota të reja pranimi për specializimet e Mjekësisë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj vendos t’i japë fund problemeve të hapura me specializimet e Mjekësisë, duke çuar në qeveri një propozim për shtimin e kuotave të pranimit, që është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Kështu, me propozim të kreut të Arsimit, qeveria ka vendosur që kuota e pranimit në programet e ciklit të tretë, të studimeve specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, të jetë 446, e ndarë në specialitete, nga 285 që ishte më parë. Ky vendim pritet të shuajë sadopak “zjarrin” e ndezur këtë vit për specializimet e Mjekësisë, ku kandidatët pjesëmarrës në provime kanë hedhur akuza të rënda për drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë. Madje, dita e djeshme ka qenë afati i fundit i vendosur prej specializantëve për të marrë një përgjigje zyrtare nga dikasteret përgjegjëse. Në këtë mënyrë, Ministria e Arsimit u është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme kandidatëve për specializant në Mjekësi, të cilët falë kuotave të shtuara do të kenë një shans të dytë për të vijuar këto studime, ose në rastin më të mirë për t’u shpallur fitues në specialitetin e preferuar. Specializantët e Mjekësisë, të shpallur fitues në konkurset me shkrim, kanë disa ditë që protestojnë për të kundërshtuar moszbatimin e rregullores së specializimeve. Në këto kushte, ata i janë drejtuar nëpërmjet një letër ankese ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj; rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule; dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji; të cilëve u kërkojnë zbatimin e gjashtë kërkesave. “Ne, mjekët fitues të ligjshëm të specializimeve afatgjata të Mjekësisë, për shkak të moszbatimit të rregullores së konkursit për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë dhe shkeljes flagrante të saj kërkojmë: anulimin e të gjithë konkurseve me gojë, në rastet kur nuk është zbatuar rregullorja e konkursit për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë; zhvillimin e konkursit me gojë në bazë të po kësaj rregulloreje, ku të drejtën e futjes në ‘provimin me gojë’ e kanë vetëm fituesit në rang departamenti; kërkojmë nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë të mos miratojë asnjë listë përfundimtare, ku fituesit shpallen duke u bazuar në shkeljen flagrante të rregullores; kërkojmë nga rektori i Universitetit të Tiranës, të urdhërojë zbatimin e rregullores pikë për pikë; i kërkojmë Ministrisë së Arsimit të ushtrojë të gjitha funksionet e saj të parashikuara me ligj për garantimin dhe zbatimin e kësaj rregulloreje”, - thuhet në ankesën e tyre. Në fund ata kërkojnë një takim zyrtar me përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit, Rektoratit dhe Dekanatit, si institucione përgjegjëse për procesin e konkurrimit, me qëllim leximin dhe përshkrimin pikë për pikë të rregullores.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›