E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, zgjidhet ngërçi i pagave

SHKRUAN: Jonida Tashi 20-01-2011 11:31

Zhbllokohet fondi i pagave në Thesar për 22 mijë bluza të bardha. Ministria e Shëndetësisë kalon me vendim qeverie çdo zë për pagat e muajit dhjetor

Zgjidhet ngërçi i pagave për 22 mijë bluza të bardha në të gjithë vendin, të cilat deri dje nuk e kishin marrë ende rrogën e muajit dhjetor. Ky fakt bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat sqarojnë se nëpërmjet një vendimi të veçantë që ka kaluar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është miratuar çdo zë për pagat e muajit dhjetor. Për rrjedhojë, tashmë është zhbllokuar fondi i pagave për mjekët dhe punonjësit e tjerë të spitaleve, të cilët, ndryshe nga ata të qendrave shëndetësore, paguhen nga Ministria e Shëndetësisë. Fillimisht ishin vetë bluzat e bardha të spitalit më të madh të vendit, që është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), që ka edhe numrin më të madh të punonjësve bashkë me administratën që shkon në 2700, që denoncuan publikisht për gazetën mosmarrjen e rrogës së dhjetorit, ndërkohë që më pas për të njëjtin shqetësim folën edhe mjekë nga rrethe të tjera të vendit. Lidhur me këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ka pasur disa probleme proceduriale, dhe pikërisht për këtë arsye, ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit pagat e muajit dhjetor do të kalojnë me një zë të veçantë, me vendim qeverie. Ndërkohë që nga burime të tjera mësohet se vonesë pagash ndodhi pasi në degën e Thesarit nuk kishte shkuar shkresa përkatëse, që do të bënte të mundur lëvrimin e fondit të pagave për të gjithë personelin që shërben nëpër spitalet e vendit. Sipas punonjëseve të shërbimeve spitalore, kjo është hera e parë që pagat u janë vonuar kaq shumë, pasi zakonisht lekët u derdhen në llogaritë e tyre bankare rreth datës 3 ose 4 të çdo muaji. Në fakt, për këtë vit, Ministria e Financave kishte parashikuar një reformë për mënyrën e kalimit të pagave të administratës. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Për këtë arsye, një grup i posaçëm pune është ngritur në Ministrinë e Financave, që po merret me disiplinimin e fondit të pagave dhe që ka nisur të zbatohet që në fillim të këtij viti. Një nga propozimet që është zbatuar është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011. “Një nga propozimet për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë”, - bëhet e ditur në dokumentin zyrtar të Financave, për këtë qëllim. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Financave, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si: ata administrativë, subvencione etj., kosto e personelit duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Për këtë është ngritur dhe funksionon një grup pune në Ministrinë e Financave. Ky grup pune deri në korrik të këtij viti, muaj në të cilin do të aplikohet rritja e pagave për administratën shtetërore, do të ketë kryer reformën në të gjithë organikën e institucioneve, me qëllim racionalizimin e fondit të pagave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›