Spitalet, kostot e shërbimit gati brenda qershorit
Nuk ndryshon numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve për vitin 2011
Spitalet dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë të detyruar të llogarisin koston e çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë, brenda 6-mujorit të parë të vitit 2011. Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në vendimin nr. 140, datë 17.2.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, duke shtyrë afatin e përcaktuar më parë për llogaritjen e kostove e shërbimeve që financohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas vendimit shkurtit, spitalet dhe ISKSH-ja janë të detyruara të llogarisin koston e çdo shërbimi brenda vitit 2010, gjë që nuk ka ndodhur, ndonëse procesi ka nisur dhe për këtë arsye është vendosur shtyrja e këtij afati. Ndërkaq, në vendimin e djeshëm është përcaktuar edhe buxheti për shërbimet spitalore, për vitin 2011, ndërsa numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve për vitin aktual do të jetë i pandryshuar, krahasuar me vitin 2010. Përsa i përket financimit të shërbimeve shëndetësore, ISKSH lidh kontratat me spitalet, për ato që ofrojnë këto të fundit. Kështu, në kontratën dypalëshe, ndër të tjera, përcaktohen: shërbimet e parashikuara për çdo spital; mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit; mënyrat e pagesës së spitalit; treguesit e cilësisë dhe të performancës; mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ISKSH-ja; sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve; mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë, por spitalet mund të kryejnë investime edhe nga burime të tjera. Tek këto të fundit përfshihen fondet që spitalet krijojnë nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga këshilli administrativ i ISKSH-së. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve që kanë lidhur kontratë me ISKSH-në miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kurse për shërbimet spitalore me pagesë, spitalet duhet të zbatojnë tarifat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Po ashtu, spitalet janë të detyruara të zbatojnë edhe sistemin e referimit, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë. Financimi nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të shërbimeve të ofruara në spitalet publike do të bëhet sipas listës së miratuar nga qeveria. Sipas vendimit të qeverisë për këtë çështje, spitali është person juridik, publik me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, përgjegjës për realizimin e prokurimeve publike të vetë spitalit. Spitali e ushtron veprimtarinë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka të drejtë t’i rivlerësojë ato çdo vit. Spitali organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr. 9106, datë 17.7.2003 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në bazë të ligjeve në fuqi e të rregullores së funksionimit. Përpos listës së shërbimeve të financuara nga ISKSH-ja, qeveria ka përcaktuar edhe buxhetin për shërbimet spitalore. Një fond jo më i madh se 10 për qind i buxhetit vjetor, të planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga ISKSH-ja për t’ua shpërndarë spitaleve gjatë vitit, me vendim të këshillit administrativ të ISKSH-së.