E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera franceze, 20 ditë edhe në Shqipëri



Pranvera franceze mbërrin edhe në Tiranë. Do të sjellë ajo me vete vargje poezish, melodi këngësh, filma të vjetër... Pak nostalgji franceze, që vjen bashkë me Kamynë, André-Paul Antoine, apo shqipëruesit më të mirë të letërsisë franceze. Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe ambasadat rumune, egjiptiane, greke, maqedonase si dhe institucionet kulturore në vend, organizojnë një seri aktivitetesh gjatë datave 19 mars -7 prill, titulluar “Pranvera frankofone”. Data 20 mars, është shpallur nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë, për nder të një gjuhe të madhe, por më së shumti diversitetit të kulturave që gërshetohen në të. Kjo është edhe arsyeja pse pranvera frankofone, festohet në të gjitha anët e globit. Tanimë ky festim është kthyer në një traditë edhe në Shqipëri. Prej vitesh organizohen mbrëmje poetike, vihen në skenë vepra franceze dhe luhet muzikë që vjen prej atyre viseve. Këtë vit, seria e aktiviteteve do të nisë pikërisht në 20 mars me koncertin “Kori i fjalëve”, i cili do të realizohet në Cirkun e Tiranës. Për të vazhduar më tej me konferencën “Muzika dhe komunikimi”, drejtuar nga prof. Erban Dimitrie Soreanu, i Universitetit të Muzikës, Bukuresht, në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. “Pranvera Frankofone” do të sjellë jo vetëm për të gjithë frankofonët, por gjithë adhuruesit e poezisë, “Mbrëmje poetike franceze”, gjatë së cilës do të interpretohen krijime të poetëve të shquar francezë. Nuk do të mungojë një bisedë me përkthyesin e njohur të gjuhës frënge, Edmond Tupen rreth 10 fjalëve të frankofonisë. Por do të zhvillohet edhe një konkurs i “10 fjalëve të Frankofonisë” në Korçë. Pritet më 25 mars një homazh për shkrimtarin ekzistencialist Albert Kamy, titulluar “Një Arsye për të jetuar dhe një arsye për të vdekur”, e cila do të organizohet në Aleancën Franceze, si dhe takimi për Georges Brassens, njeriu, këngëtari, poeti, që organizohet nga Departamenti i Gjuhës Franceze në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Gjithnjë i pranishëm me poezitë e tij, kësaj stine kulturore nuk do t’i mungojë poeti Skënder Sherifi, i cili do të prezantojë vëllimin e tij në dy gjuhë, “I dashuruari i përjetshëm i dy gjuhëve dhe kulturave”. Shkrimtarja shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, Besa Myftiu, pedagoge në Universitetin e Gjenevës do të prezantojë librin “Rrëfime nga vendet e harruara”, shoqëruar prej së bijës, këngëtares së muzikës xhaz, Elina Duni dhe pianistit Genti Rushi. Në programin e “Pranverës Frankofone” është parashikuar edhe projeksioni i filmave si “Gjeli kokëprerë”, realizuar nga regjisori rumun Radu Gabrea, “Lufta mbaroi” i regjisorit maqedonas Mitko Pano, “Ujë dhe zjarr”, me regji të Kiro Urdin, “Misteret e Egjiptit” me aktorin e njohur Omar Shariff, me regji të Bruce Neibaur. Teatri, si një nga shtyllat e rëndësishme të këtij aktiviteti do të ketë pikëtakimet e tij me publikun me shfaqjet “Ishulli i të gjitha rreziqeve” nga Ann Rocard, interpretuar nga nxënësit e Liceut të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, si dhe Teatri Shqip “Sonte jam vetëm”, vepër e dramaturgut André-Paul Antoine, vënë në skenë nga Enver Petrovci, me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi. Shfaqja rivjen në sallën “çehov” të Teatrit të Metropolit, në Tiranë.
Priten koncerte recitale nga Pascal Gallet dhe trioja Alexis Rault, Alex Beaupain e Pierre Souchon.
Kjo stinë aktivitetesh, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Franceze dhe Shqiptare, nuk do të përqendrohet vetëm në kryeqytetin shqiptar, por do të përhapet edhe në Korçë, Përmet, Shkodër, Elbasan, duke ruajtur një gjithpërfshirje të aktiviteteve si koncerte, takime poetike, homazh për shkrimtarët francezë, teatër dhe performancë artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›