E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ringrihet” Kalaja e Tiranës, miratohet projekti



Alma Mile

Më në fund një dritë shprese edhe për Kalanë e Tiranës. Pavarësisht diskutimeve të herë pas hershme, që kanë mbledhur kokë më kokë arkeologë e urbanistë, asgjë konkrete nuk është bërë për të ruajtur dhe evidentuar gjurmët e Tiranës së vjetër, të cilat dolën në dritë dy vjet më parë, gjatë rikonstruksionit të rrugës që kalon aty pari. U ndërprenë punimet e rrugës, duke u kthyer në një makth për këdo që duhet të kalonte andej, ndërsa themelet e Kalasë së Tiranës, që u thelluan deri në dy metër, u kthyen në një kontenier plehrash. Dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u mblodh Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i cili miratoi dy projekte, që lidheshin me restaurimin për qëllime muzeale dhe vënien në përdorim si vend shfaqjeje të Amfiteatrit të Durrësit dhe restaurimin e Kalasë së Tiranës. Të dyja këto projekte janë paraqitur nga Qendra “Frashëri”. Drejtuesi i kësaj qendre, Gjergji Frashëri bëri një paraqitje të gjendjes aktuale të këtij kompleksi, i cili nuk kufizohet vetëm në ca rrënoja e themele muresh, por edhe në ndërtesa monumentale. Sipas tij, të gjithë këta elementë kanë nevojë për restaurim dhe në mos sjelljen në gjendjen e mëparshme, në një përafrim me të, për ta kthyer në një zonë të vizitueshme dhe të frekuentueshme, në qendër të kryeqytetit. Restaurimi do të nisë me brendinë e kalasë, çka kërkon largimin e ndërtesave, të cilat nuk paraqesin vlera historike, arkitektonike ose artistike. Ato janë ndërtesa të dhjetëvjeçarëve të fundit, me funksione të dorës së dytë dhe me karakter provizor, si magazinë, depo, ambiente pune të personelit të policisë, shtëpi në përmasa të vogla, të improvizuara, librari njëdhomëshe në xham, ndërtuar mbi murin e kalasë, etj. Sipas projektuesve, të gjitha këto ndërtime janë parashikuar të largohen deri në themelin e tyre. Objekte interesante brenda kësaj hapësire janë Saraji i Selim Pashë Toptanit, apo Selamllëku, i cili njihet me emrin e dhëndrit të tij, Servet bej Libohovës dhe është monument kulture. Saraji prej 32 ambientesh në stilin oriental dhe i zbukuruar me dekoracione të ndryshme, u ndërtua në oborrin e Kullës së Gjatë, rreth vitit 1833-1840 dhe është një nga të paktat saraje feudalësh, të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. është restauruar në vitet 80’ dhe përdorur me funksione të ndryshme. Sipas Frashërit, ndërtesa paraqet nevoja imediate ndërhyrjeje për konsolidimin e saj statik. Më tej vijon Haremllëku, gjithashtu nën mbrojtjen e shtetit dhe pjesë e kompleksit ndërtimor të Selamllëkut. Kjo ndërtesë, e cila është përdorur së fundmi si banesë private ka gjithashtu nevoja për ndërhyrje restauruese dhe dhënien e një funksioni të ri. Pjesë e restaurimit do jenë edhe rrënojat e Kullës së gjatë, të banesës tiranase, e cila mund të ketë qenë pjesë e kullës dhe i përket shek. XVIII, arkadat dhe harqet gjysmërrethore, ndërtuar në vitin 1936, për të kufizuar oborrin e banesës së Mbretit Zog I, kinemaja e fëmijëve, etj. Sipas Frashërit lenë vend për shqyrtim një sërë ndërtimesh të mëvonshme private, që janë bërë mbi muret e kalasë, si hotele, kinema, restorante, apo dhe ndërtesa e policisë së qytetit. Sa i përket Rrugës “Murat Toptani”, ajo pretendohet të pastrohet nga mbushjet e viteve dhe të shtrohej me kalldrëm, duke i dhënë asaj direkt aspektin e një rruge këmbësore. Nga ç’paraqitet, duket se shumë shpejt Tirana do të ketë një qendër monumentale, vërtetë tërheqëse, por do të duhet kohë, deri tek rezultatet.
Amfiteatri i Durrësit
I ndërtuar gjatë çerekut të fundit të shek.I pas Krishtit, ai është një nga dëshmitë më të rralla të antikitetit në vendin tonë. I ndërtuar si domosdoshmëri e kohës, për argëtim, shfaqje e ndeshje gladiatorësh, Amfiteatri i Durrësit, mund të kthehet në identitet. Sigurisht nuk do të ketë dyluftime shpatash, por argëtim, pse jo. Qendra e projektimeve “Frashëri”, paraqiti dje përpara Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë projektin për restaurimin për qëllime muzeale dhe vënien në përdorim si vend shfaqjeje të Amfiteatrit të Durrësit, i cili u miratua. Projekti parashikon jo vetëm gërmime, restaurime, por edhe prishje të ndërtimeve përreth monumentit, për të cilat ka edhe një plan veprimi nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Durrësit. Sipas projektuesit Gjergj Frashëri, gjendja e sotme e pjesëve të ruajtura të amfiteatrit tregon, se për restaurimin dhe vënien e tij në përdorim, nevojiten të aplikohen të gjitha llojet e restaurimit ndërtimor dhe të konservimit arkeologjik. Në to përfshihen ndërhyrjet masive konsoliduese të strukturave të brendshme të amfiteatrit, strukturave mbuluese të galerive dhe të atyre mbajtëse të ndenjësve të amfiteatrit. Këtu përfshihen punimet çliruese të karakterit arkeologjiko-arkitektonik që do të kryhen paraprakisht në nën ambientet e ndenjëses. Projekti parashikon ndërhyrje restauruese për nevoja të domosdoshme të sigurimit statik të elementëve strukturorë të nën hapësirave të ndenjëses, të cilat paraqesin humbje, ose kanë humbur aftësitë e tyre statike origjinale. Do të kryhen gjurmime arkitektonike për mbledhjen e të dhënave të formulimit të sipërfaqes së ndenjëses, të shkallëve, të daljeve të spektatorëve, të pusetave të ujërave shkarkues, të mbikalimit arenë-xokol i ndenjëses, etj. Do të largohen mbushjet e gabuara me muraturë “konservimi apo konsolidimi”, që janë kryer gjatë dekadave të fundit dhe rikompozimi vizatimor i ndenjëses në gjendjen origjinale dhe do të kryhet konturimi me muraturë i pjesëve të humbura të ndenjëses, të shkallëve, pasazheve të lëvizjes midis blloqeve të ndenjëses, të puseve të shkarkimit të ujit, etj, sipas teknikës origjinale, por të dallueshme prej saj si dorë e restaurimit. Gjurmimi dhe restaurimi i sistemit të shkarkimit të ujërave të shiut deri në largimin e tyre jashtë perimetrit të amfiteatrit dhe derdhjen e tyre në sistemin shkarkues të qytetit të Durrësit
Gërmimi dhe restaurimi arkeologjiko-arkitektonik i hapësirave të arenës i orientuar për qëllime të ruajtjes, restaurimit dhe përdorimit të monumentit është një tjetër fazë e projektit. Sipas Frashërit do të kryhet restaurimi i fasadës së amfiteatrit, por paraprakisht duhet të bëhet çlirimi nga mbushjet e mëvonshme i unazës me gjerësi prej 15 m midis fasadës se amfiteatrit dhe kodrës se qytetit në anën veriore, ndërsa në anën perëndimore prej mureve rrethues të qytetit. “Nevojitet largimi i banesave të ndërtuara pa leje në dekadat e fundit. çlirimi nga mbushjet do të shoqërohet me gërmime arkeologjike në shtresat mbushëse antike e mesjetare”, thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›